
SHBA - Ambasadori i Izraelit Gilad Erdan, i është drejtuar OKB-së, duke thënë në Asamblenë e Përgjithshme se anëtarët e Hamasit janë nazistët e rinj dhe se Izraeli është në luftë vetëm me Hamasin.
Gilad Erdan renditi detaje, mbi atë që ndodhi më 7 tetor. “Asnjë film horror nuk krahasohet me brutalitetin e Hamasit”, tha Erdan.
Diplomati tregoi historinë e një mjekeje të re izraelite, e cila u vra, kur ajo po përpiqej të shpëtonte njerëzit e plagosur. Erdan u shpreh se mizoritë e Hamasit nuk janë parë as në Holokaust.
“Ndryshe nga Holokausti, ku shumica e provave që kemi janë fotografi bardhë e zi dhe pamje pa zë, këtu prova është në definicion të lartë", tha Gilead Erdan, ambasadori i Izraelit në OKB.
Izraeli vazhdon t’i mëshojë tezës se po godet vetëm Hamasin dhe se nuk po lufton palestinezët. Ndërsa, ministri iranian Hossein Amir-Abdollahian, tha se SHBA dhe Izraeli janë fajtorë për bombardimet në Gaza dhe shtoi se edhe Uashingtoni nuk do kursehet.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/