
ITALI- Karlo Ançeloti ka qenë për disa muaj në fokusin e mediave për të ardhmen e tij te Real Madrid, duke i shmangur vazhdimisht pyetjet në lidhje me largimin e tij. Edhe pse është ende në garë për titullin e La Liga, pas disa humbjeve të thella në El Clásico dhe një sezoni zhgënjyes, e ardhmja e tij te Reali duket e vendosur.
Trajneri italian është shprehur se do të flasë për të ardhmen pas përfundimit të sezonit, më 25 maj, duke lënë të kuptohet se mund të jetë largimi i tij nga klubi pas një periudhe të suksesshme. Pavarësisht rezultateve negative këtë sezon, ku humbi ndaj Barcelonës, Arsenalit dhe Valencias, Ançeloti ka shprehur gjithmonë mirënjohje për Realin e Madridit dhe lojtarët, duke e mbajtur një marrëdhënie të ngrohtë me klubin dhe tifozët.
Sipas ESPN, me dështimet e këtij viti, është e qartë se drejtuesit e Real Madridit nuk mund të jenë të kënaqur. Klubi ka standarde të larta dhe Ançeloti ka qenë nën presion për të arritur më shumë.
Siç e ka pranuar vetë, ndoshta është koha për një ndryshim të madh dhe destinacioni i tij i ardhshëm mund të jetë kombëtarja e Brazilit. Brazili e ka përzgjedhur atë si trajnerin e saj kryesor dhe të dy vendimet, largimi nga madrilenët dhe firmosja me Brazilin, janë në dorën e tij. Ndikim për firmën te Brazili do të kenë edhe marrëdhëniet e forta me lojtarë të tillë si Vinícius Júnior dhe Rodrigo, apo Militao, si edhe të tjerë brazilianë në të shkuarën e tij të gjatë si trajner./ZËRI