Opinione

Armëpushimi do zgjatet? Izraeli dhe Hamasi japin sinjale pozitive

The Guardian shkruan se si pala izraelite dhe ajo e Hamasit, duket se kanë dhënë shenja pozitive, për zgjatje të armëpushimit.

D.XH
Armëpushimi do zgjatet? Izraeli dhe Hamasi japin sinjale pozitive
Gaza

GAZA – Në Gaza, po zhvillohen bisedime, për të zgjatur armëpushimin e përkohshëm mes Hamasit dhe Izraelit. Që të dyja palët thonë se do të dëshironin të shihnin lirim të mëtejshëm të pengjeve, në këmbim të lirisë. Armëpushimi do të përfundojë të martën në orën 7 të mëngjesit, duke kërcënuar një rikthim në luftime e bombardime të përgjakshme, që kanë shkatërruar disa pjesë të Gazës, e ku janë vrarë mijëra civilë. Situata në enklavë ka shkaktuar një krizë të paprecedentë humanitare.

Lirimi i ‘valës së tretë’ të të burgosurve dhe pengjeve kryesisht izraelitë të mbajtur në Gaza nga Hamasi u bë pa probleme të mëdha, mbrëmjen e së dielës. Izraeli dhe Hamasi kanë ngritur secili shqetësim në lidhje me listat e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë që do të lirohen të hënën, çështje që ndërmjetësuesit e Katarit po punojnë për ta zgjidhur.

“Ka një problem të vogël me listat e sotme. Katarianët po punojnë me të dyja palët për të shmangur vonesat,” tha një zyrtar i informuar për këtë çështje. Shtatëmbëdhjetë pengje u liruan nga Hamasi të dielën, duke përfshirë një shtetas rus dhe tre shtetas tajlandez. Izraelitët ishin të gjithë gra ose fëmijë. Tridhjetë e nëntë të burgosur palestinezë, kryesisht fëmijë, u liruan nga burgjet izraelite, thanë autoritetet. Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, ka thënë se nuk dëshiron të përfundojë armëpushimi, por është zotuar se Izraeli do të rifillojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza, në fund të armëpushimit.

Netanyahu, i cili u ka premtuar izraelitëve se do të "shpartallojë" Hamasin, tha se do të mirëpriste një zgjatje të pauzës, për të lejuar lirimin e 10 pengjeve të tjera çdo ditë në këmbim të lirisë për 30 të burgosur palestinezë, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen fillestare. Zyrtarët izraelitë këmbëngulin se nuk do të anulojnë ofensivën e tyre, derisa të sigurohen se Hamasi nuk përbën më kërcënim për Izraelin. Joe Biden tha të dielën se administrata e tij do të vazhdojë të mbetet e angazhuar personalisht, për të parë se kjo marrëveshje është zbatuar plotësisht.

Mediat lokale në Izrael raportuan optimizëm midis zyrtarëve të lartë se armëpushimi, i cili ishte rezultat i negociatave komplekse indirekte disajavore të ndërmjetësuara nga SHBA, Katari dhe Egjipti, do të zgjatej. Gjashtëdhjetë e dy nga më shumë se 240 pengjet e mbajtura nga Hamasi që nga muaji i kaluar janë liruar, një peng u lirua nga forcat izraelite dhe dy u gjetën të vdekur brenda Gazës. Gjithsej 117 palestinezë janë liruar që nga fillimi i armëpushimit.

Konflikti u shkaktua kur Hamasi depërtoi gardhin rrethues rreth Gazës më 7 tetor dhe sulmoi komunitetet në Izraelin jugor, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz, kryesisht civilë në shtëpitë e tyre dhe në një festival muzikor. Më shumë se 240 njerëz u rrëmbyen, duke përfshirë foshnjat, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, ushtarët dhe punëtorët e huaj të fermave. Midis 13,000 dhe 15,000 palestinezë janë vrarë nga ofensiva izraelite e nisur pas sulmit të Hamasit, afërsisht dy të tretat e tyre janë gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. Më shumë se 1 milion njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Mesazhet e IDF sugjerojnë se armëpushimi në Gaza nuk ka gjasa të zgjasë përtej të martës.

Katari ka thënë se Hamasi duhet të gjejë dhjetëra pengje, në mënyrë që të zgjasë armëpushimin. Kryeministri i shtetit së Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se besohej se të paktën 40 gra dhe fëmijë ndodheshin në Gaza, por nuk mbaheshin nga Hamasi. Shumë pengje besohet të jenë në duart e fraksioneve të tjera të armatosura ose civilëve që ndoqën militantët e Hamasit në Izrael më 7 tetor. Palestinezët e liruar deri më tani nga Izraeli përfshinin të paktën dy gra që ishin dënuar me dënime të gjata, pasi ishin dënuar nga gjykatat izraelite për sulme të dhunshme. Ata janë pritur nga turma të gëzuara.

Omar Abdullah Al Hajj, 17 vjeç, një nga të burgosurit palestinezë të liruar të dielën, tha se nuk kishte dëgjuar asgjë për luftën gjatë kohës që ishte në burg. “Nuk mund ta besoj se jam i lirë tani, por gëzimi im është i paplotë, sepse ne kemi ende vëllezërit tanë që janë në burg dhe nuk më vjen mirë për lajmet që dëgjoj tani, në lidhje me atë që po dëgjoj për territorin e Gazës”, tha Al Hajj. Këtë të fundit, Ministria e Drejtësisë e Izraelit e akuzoi se i përkiste grupit militant të Xhihadit Islamik dhe se përbën një kërcënim të papërcaktuar për sigurinë. Të afërmit e mijëra palestinezëve të arrestuar nga Izraeli prisnin me ankth lajmet, duke shpresuar për më shumë lirime, nëse zgjatet armëpushimi.

Armëpushimi ka lejuar që sasi të konsiderueshme ndihme të arrijnë në Gaza, për herë të parë që nga fillimi i luftës. Por agjencitë paralajmërojnë se nevojitet shumë më tepër për t'u marrë me pasojat e luftimeve, bombardimeve masive, zhvendosjes masive dhe bllokadës pothuajse totale të vendosur nga Izraeli ndaj karburanteve, ushqimit, ilaçeve dhe gjërave të tjera thelbësore jetësore. Qindra e mijëra palestinezë tani janë strehuar në strehimore, spitale dhe shtëpi private jashtëzakonisht të mbipopulluara të OKB-së, ku kushtet e rënda vazhdojnë, pavarësisht një rritjeje në shpërndarjen e ndihmave humanitare në armëpushim.

OKB thotë se armëpushimi ka bërë të mundur rritjen e shpërndarjes së ushqimit, ujit dhe ilaçeve në vëllimin më të madh që nga fillimi i luftës. Por, 160 deri në 200 kamionë në ditë është ende më pak se gjysma e asaj që Gaza importonte para luftimeve, ndërkohë që nevojat humanitare janë rritur.

Gjithashtu, janë publikuar detaje për trajtimin e disa pengjeve. Mediat lokale kanë raportuar mungesë ushqimi dhe ilaçesh e akomodime në vende aspak të përshtatshme, ndoshta nën tokë, por jo keqtrajtim fizik. Sipas një raporti, një ish-peng u ka thënë miqve të tij se rrëmbyesit kishin sjellë fëmijë të tjerë për të luajtur me të, ndërsa ai ishte rob. Disa mësuan për fatin e të afërmve nga rrjetet radiofonike në gjuhën hebraike, që mund të dëgjonin. Dy adoleshentë mësuan se nëna e tyre ishte vrarë dhe babai i tyre ishte zhdukur.

Thirrjet nga familjet e pengjeve për t'i dhënë përparësi lirimit të tyre kanë shtuar dilemën, me të cilën përballen liderët izraelitë. “Ne mund t'i kthejmë të gjithë pengjet në shtëpi. Ne duhet të vazhdojmë të shtyjmë armëpushimin”, thanë në një deklaratë dy të afërm të Abigail Edan, një shtetase e dyfishtë izraelito-amerikane katërvjeçare, e cila ishte dëshmitare e vrasjes së prindërve të saj më 7 tetor dhe u lirua të dielën. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka hyrë në Gaza. Më tepër se 17 mijë njerëz kanë vdekur nga sulmet e të dyja palëve./The Guardian - Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB