
SPANJË- Pas gati katër vitesh në arrati, 32-vjeçarja Tania Gomez u arrestua në Ishujt Kanarie. Tania Gomez njihej si gruaja më e kërkuar në Evropë dhe akuzohet për përfshirje në trafik droge dhe rrjete të paligjshme të trafikut të kafshëve. Arrestimi i saj u bë javën e kaluar, pasi ajo ishte në kërkim që nga viti 2021.
Jeta e dyfishtë e Gomez
E njohura si "mbretëresha e kokainës" në Evropë, Gomez dyshohet se mbante lidhje të ngushta me një organizatë kriminale në Stokholm, duke marrë përsipër transportin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogës dhe parave. Para se të zbuloheshin aktivitetet e saj, ajo ishte një influencere në Instagram dhe pronare e bamirësisë HundGärin, e cila supozohet se ndihmonte qentë endacakë.
Megjithatë, sipas Europol, Gomez dyshohet se ishte përfshirë edhe në një rrjet të paligjshëm të trafikut të kafshëve jashtë vendit.
Hetimet dhe arrestimi i saj
Policia suedeze kishte kthyer vëmendjen te Gomez pas një bastisjeje në selinë e një organizate kriminale në Stokholm në verën e vitit 2020.
Atje u gjetën gati një milion euro para të gatshme të fshehura në çanta. Në fakt, Gomez akuzohet gjithashtu për pastrimin e milionave përmes kësaj strukture të veçantë, e cila dyshohet se u shërbente tregtarëve të drogës dhe anëtarëve të mafias. Prokurorët suedezë kanë kërkuar 14 vite për të. Por edhe pse e kërkuan në Suedi, Gomez kishte ikur për në Spanjë, prej nga është babai i saj./ZËRI