
UKRAINË- Zëvendësministri i Ministrisë së Energjisë së Ukrainës është arrestuar për korrupsion pasiv, pasi akuzohet se ka marrë gjysmë milionë dollarë ryshfet. Rasti i shtohet një sërë skandalesh që janë zbuluar në nivelet drejtuese të Ukrainës. Sipas autoriteteve hetimore, zëvendësministri Oleksandr Heilo, ka kërkuar ryshfet nga kompanitë e minierave të Ukrainës perëndimore, të cilat kërkonin të siguronin transportin e materialeve në minierat e Ukrainës lindore pranë vijës së frontit.
I dyshuari dhe tre bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar menjëherë.
Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burg dhe konfiskim të pasurive.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, janë zbuluar disa skandale korrupsioni, kryesisht në radhët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë ukrainase, duke çuar në shkarkimin dhe arrestimin e disa zyrtarëve të lartë.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy e ka bërë prioritet luftën kundër korrupsionit, i cili ka qenë endemik në Ukrainë që nga ditët e Bashkimit Sovjetik dhe ka vazhduar edhe pas shpërbërjes së unionit. Lufta kundër korrupsionit është prioritet pasi është një kusht që Brukseli ka vendosur në Kiev në kuadër të procesit të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian./ZËRI