
BRASILIA- Artisti brazilian, Marlon Brandon Coelho, i njohur me emrin e artit MC Poze do Rodo, u arrestua nga agjentët e Divizionit Kundër Drogës (DRE) të Policisë Civile të Shtetit të Rio de Janeiro. Ai u arrestua në orët e para të mëngjesit në Rio de Janeiro, nën akuzat për fshehje të krimeve dhe lidhje me trafikun e drogës. Por në prononcimet që ka për mediat, reperi mohoi të kishte ndonjë përfshirje në trafikun e drogës.
"Ky është persekutim, është i paturpshëm. Nuk ka asnjë provë për asgjë. Ai që duhet të kapin është atje lart në favelë, jo unë,"-tha ai pas arrestimit, sipas mediave braziliane.
Poze u ankua gjithashtu për trajtimin që mori gjatë arrestimit të tij.
"Unë jam i vetmi që e përjetoj këtë. A e urdhëron dikush që kjo t'i bëhet birit të një gjykatësi? Dikujt që e meriton...,"-shtoi ai.
Ai u dërgua në burgun e Benficës, në veri të Rio de Janeiros. Ende nuk ka një datë të caktuar për seancën dëgjimore ku do të caktohet masa e sigurisë. MC u arrestua në shtëpinë e tij, në Recreio dos Bandeirantes, në perëndim të Rio de Janeiro. Por përveç tij, Policia po i "heton" edhe repertorin muzikor, pasi thuhet se tekstet e këngëve promovojnë trafikimin e drogës, përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit dhe nxisin përleshje të armatosura midis grupeve rivale.
Policia Civile pretendon se tekstet e këngëve shkojnë përtej kufijve kushtetues të lirisë së shprehjes dhe shprehjes artistike, duke përbërë krime të rënda të nxitjes së krimit dhe lidhjes me trafikimin e drogës. Këngët e Poze-s flasin për jetën në komunitetet e Rios së Madhe. Ai është i martuar me influencuesen dhe biznesmenen Viviane Noronha dhe ka 5 fëmijë.
Kur ishte adoleshent, ai trafikoi drogë në komunitetin Rodo, në Santa Cruz, në Zonën Perëndimore të Rios. Por pavarësisht jetës së tij, në programin "Profissão Repórter" në tetor të vitit të kaluar, ai tha se përpiqet t'u tregojë të rinjve se krimi nuk ka të ardhme.
"Më kanë qëlluar, kam qëlluar dhe më kanë arrestuar gjithashtu. Dhe mendova: a dua të qëndroj në këtë jetë apo të jetoj një jetë të qetë? Kështu që, u përqendrova në të jetuarit e një jete të qetë, luftova dhe sot ua kaloj këtë mesazh fëmijëve: krimi nuk të çon askund,"- tha Poze.
Stili i tij i jetesës “gangster”, i ekspozuar në mediat sociale përmes armëve, makinave luksoze dhe bizhuterive prej ari, e ka bërë atë jashtëzakonisht popullor, veçanërisht mes të rinjve në periferi dhe favela të qytetit. Madje shënon mbi 15 milionë ndjekës në Instagram. Por duket se kjo influencë e ka bërë të përdorshëm nga organizata kryesore kriminale në Rio. Koncertet e tij dyshohet se financoheshin drejtpërdrejt nga "baronët e drogës". Qëllimi ishte forcimi i kontrollit territorial, promovimi i imazhit të tyre dhe nxitja e shitjes së drogës./ZËRI