
BRUKSEL- BE-ja do të marrë masa të reja më të ashpra ndaj personave që konsumojnë duhanin dhe vape. Sipas masave të reja duhani dhe cigaret elektrike do të ndalohen të konsumohen edhe në ambiente të hapura, duke përfshirë këndet e lojërave, pishinat dhe oborret e restoranteve. Komisioni Evropian tha se kjo masë është në kuadër të zgjerimit të "politikave mjedisore pa duhan", që do të mbrojë më mirë shëndetin e njerëzve, dhe në veçanti atë të fëmijëve.
Suedia është i vetmi vend evropian që ka ndaluar plotësisht pirjen e duhanit në tarracat e restoranteve dhe bareve, sipas Partneritetit pa Tym (PPT), një koalicion i OJQ-ve evropiane.
Komisioni po u kërkon 27 vendeve të bllokut të zgjerojnë kufizimet për duhanin dhe për cigaret elektronike dhe produkte të tjera në zhvillim, të tilla si vape, të cilat po arrijnë gjithnjë e më shumë tek të rinjtë dhe fëmijët.
"Ne kemi për detyrë të mbrojmë qytetarët tanë, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, nga ekspozimi ndaj tymit të dëmshëm dhe emetimeve", tha komisionerja e shëndetësisë Stella Kyriakides.
Sipas studimeve të fundit 700,000 njerëz humbin jetën për shkak të përdorimit të duhanit në vendet e BE-së. Globalisht, përdorimi i duhanit vlerësohet të vrasë më shumë se tetë milionë njerëz çdo vit, duke përfshirë rreth 1.3 milionë jo-duhanpirës të cilët janë të ekspozuar ndaj tymit, tregojnë statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ndër vendet ku duhet të ndalohet plotësisht duhani dhe vape, komisioni renditi stacionet e autobusëve, kopshtet zoologjike dhe baret. Komisioni Evropian synon të krijojë një "brez pa duhan" ku më pak se 5% e popullsisë së BE-së përdor duhan deri në vitin 2040 si pjesë e planit të tij për të mposhtur kancerin. /ZËRI