SERBI – The Guardian ka intervistuar politikanin serb Nikola Sanduloviç, i cili u rrah barbarisht nga shërbimi sekret i Serbisë, pas vizitës në varret e familjes Jashari në Prekaz. Sanduloviç në rrëfimin e tij për median e njohur botërore shprehet se BIA serbe e ka rrahur dhe torturuar në format më të ulëta për 6 orë rresht. Ai tha se e gjithë dhuna vjen për faktin se ka vendosur lule në varrin e një vajze vetëm 7 vjeçe të familjes Jashari, e cila u masakrua në masë nga forcat policore serbe gjatë luftës së Kosovës.
Shkrimi i plotë i The Guardian:
Një lider i opozitës serbe është liruar nga paraburgimi pasi vuajti atë që ai pretendon se ishte një provë e tmerrshme, në të cilën shërbimet sekrete të Beogradit e rrahën, torturuan, e poshtëruan dhe e kërcënuan se do ta vrisnin atë dhe familjen e tij.
Nikola Sandulović, lideri i Partisë Republikane Serbe, tha se ai u mor nga shtëpia e tij 10 ditë më parë dhe iu nënshtrua abuzimit të dhunshëm për më shumë se gjashtë orë nga shërbimi i inteligjencës të Serbisë. Për pasojë, thonë avokatët e tij, ai mbetet i paralizuar në anën e majtë dhe ka pësuar dëmtime nervore.
Duke folur për herë të parë që nga lirimi i tij, Sandulović tha në një deklaratë të mërkurën: “Më rrëmbyen anëtarët e policisë sekrete serbe, të cilët më rrahën, torturuan, më poshtëruan dhe më kërcënuan se do të më vrisnin mua dhe familjen time për më shumë se gjashtë orë, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe jetën.
E gjithë kjo për shkak të bindjeve të mia politike dhe aktit të vendosjes së luleve mbi varrin e një vajze të vrarë shtatë vjeçare, e cila i përkiste familjes Jashari”, ka thënë ai. Sandulović është akuzuar për shkelje të ligjeve në Serbi, për nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
Akuzat u ngritën pasi ai kërkoi falje për krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve etnikë gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitin 1998 dhe 1999. Ai është kritikuar ashpër nga mediat pro-qeveritare për ripostimin e një videoje të një vizite që bëri në varrin e Ademit Jashari, themelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra nga policia serbe në vitin 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij.
Sandulović tha se pas sulmit, shërbimi sekret e mori atë në shtëpi. Menjëherë pastaj u përpoqën që ta dërgojnë në burg. Por ai ka shtuar se në vend se të shkojë në qeli, është dërguar në spital, pasi kishte marrë shumë plagë.
Duke rrëfyer incidentin e rëndë, i cili ka ngjallur frikë për demokracinë në Serbi, politikani opozitar tha se se më pas u transferua në një spital burgu dhe u dënua në të njëjtën kohë me paraburgimin e padrejtë prej 30 ditësh, teksa tha se burgosja e vuri jetën e tij në rrezik.
Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë (BIA) e ka pranuar marrjen në pyetje të Sandulović-it, por, në një deklaratë për Financial Times, u tha se ai nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave.
BIA deklaroi se vetëm donte të zbardhte kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sandulović-it, të cilat prokurori kompetent i klasifikoi si vepër penale, duke ‘nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”. Shërbimi sekret mohoi raportet se agjentët e tij e kishin rrahur atë, duke thënë se akuzat kishin për qëllim destabilizimin e vendit.
Lirimi i Sanduloviç erdhi pasi partitë opozitare në Serbi u nxitën nga një diskutim në Parlamentin Evropian në Strasburg pas akuzave se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar në favor të SNS të presidentit Aleksandar Vuçiç, një akuzë që Vuçiç e mohon. Marinika Tepić e koalicionit opozitare ‘Serbia kundër dhunës’ (SPN) tha të martën: “Ne e kemi arritur objektivin tonë dhe sot Evropa dhe e gjithë bota e dinë se ne i kapëm hajdutët e zgjedhbjeve në flagrancë”./ZËRI/