
ITALI- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ra në një kurth të ngritur nga dy komedianët rusë Vladimir Kuznetsov dhe Aleksej Stolyarov, të njohur si Vovan dhe Lexus. Në një telefonatë që i është bërë më 18 shtatorin e kaluar, por e publikuar vetëm në orët e fundit, Meloni besonte se po fliste në telefon me një udhëheqës të rëndësishëm afrikan, duke 'lëshuar gojën' kështu me mendimet e saj lidhur me emigracionin dhe luftën në Ukrainë. Nuk ka dyshim se në anën tjetër të telefonit nuk ishte "presidenti i Komisionit të Bashkimit Afrikan", siç u besuan këshilltarët diplomatikë të kryeministres, por dy humoristët rusë që u bënë të famshëm për kurthet e tyre telefonike në figura të shquara botërore - nga Henry Kissinger te JK Rowling.
Kështu në bisedën, e cila zgjati pak më shumë se 13 minuta, kryeministrja i rrëfeu "atij" gjithë hidhërimin për mungesën e mbështetjes që ndjen nga pjesa tjetër e BE-së për menaxhimin e "barrës" së emigrantëve dhe shqetësimet për zgjatjen e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Konflikti në Ukrainë?
Meloni: Unë shoh që shumë janë të lodhur. Të themi të vërtetën, ne mund të jemi afër momentit kur të gjithë e kuptojnë se kemi nevojë për një rrugëdalje. Problemi është gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët, pa shkelur të drejtën ndërkombëtare. Unë kam disa ide se si ta trajtoj këtë situatë, por jam duke pritur kohën e duhur për të provuar që të them mendimet e mia. Kundërofensiva e Ukrainës mund të mos shkojë siç është planifikuar.
Emigracioni
Meloni: Situata është mjaft e ndërlikuar: që nga fillimi i vitit, më shumë se 120 mijë njerëz kanë mbërritur, veçanërisht nga Tunizia. Situata është shumë e vështirë në të gjitha frontet, situata humanitare, situata logjistike, situata e sigurisë. Besoj se kjo fluks mund të rritet për shkak të situatës që po zhvillohet në Afrikë. Evropa për një kohë të gjatë mendonte se mund ta zgjidhte problemin duke lënë të qetë Italinë.