
SHBA- Shtetet e Bashkuara të Amerikës "nuk u angazhuan në një operacion agresiv", tha sot Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken pas raporteve për sulme hakmarrëse izraelite kundër Iranit. Blinken refuzoi të flasë për sulmin ndërsa përsëriti thirrjen për de-përshkallëzim të situatës.
"Unë nuk dua të flas për këto ngjarje të raportuara në media. Gjithçka që mund të them nga ana jonë dhe nga të gjithë anëtarët e G7 është se qëllimi ynë është de-përshkallëzimi," tha ai në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara të industrializuara (G7) në ishullin italian të Capri-t.
I ndalur tek lufta në Ukrainë, Sekretari Amerikan i Shtetit akuzoi gjithashtu Kinën për nxitjen indirekte të konfliktit në Ukrainë duke furnizuar Rusinë me pjesë për industrinë e saj të mbrojtjes.
“Kur bëhet fjalë për industrinë ruse të mbrojtjes, kontribuuesi numër një në të tani është Kina”, tha Antony Blinken./ZËRI