
BRITANI E MADHE- Ish-kryeministri Boris Johnson i është rikthyer gazetarisë, kjo pasi ka nënshkruar për t'u bashkuar me kanalin televiziv "GB News". Johnson, i cili dha dorëheqjen si deputet në fillim të këtij viti, do të punojë për kanalin e lajmeve si prezantues, programues dhe komentues. Sipas BBC, Johnson, do të "luajë një rol kyç" në mbulimin e zgjedhjeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA vitin e ardhshëm.
Ai premtoi të ndajë "pikëpamjet e tij të pazbardhura" për një sërë temash. Johnson, i cili gjithashtu shkruan një rubrikë për Daily Mail, do të fillojë punë vitin e ri 2023.
Johnson është politikani i fundit konservator që i është bashkuar transmetuesit, pas ish-sekretarit të biznesit Jacob Rees-Mogg, nënkryetarit të partisë Lee Anderson dhe bashkëshortëve deputetë Esther McVey dhe Philip Davies. Në një video të postuar në X , dikur në Twitter, ish-kryeministri tha: Jam i emocionuar të them se së shpejti do t'ju bashkohem në GB News. Unë do t'i jap këtij kanali të ri televiziv të mrekullueshëm pikëpamjet e mia të pazbardhura për gjithçka, nga Rusia, Kina, lufta në Ukrainë, si i përballojmë të gjitha ato sfida."
Johnson dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2022, pas një revolte masive nga ministrat mbi udhëheqjen e tij. Por fusha e gazetarisë nuk është e panjohur për të. Boris Johnson filloi karrierën e tij si gazetar në “The Times” të Londrës dhe më vonë vazhdoi në “Daily Telegraph”. Ai u bë asistent redaktor në të njëjtën gazetë nga viti 1994 në 1999 dhe më vonë redaktor në “The Spectator” nga 1999 deri në 2005. Në vitin 2001, ai nisi karrierën në politikë, fillimisht si deputet dhe më pas në 2008 u bë kryetar i Bashkisë së Londrës. Në vitin 2019, ai u zgjodh kryetar i partisë konservatore dhe mori detyrën e kryeministrit./Zëri.ai