
BRUKSEL – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrell, gjatë një prononcimi për mediat, në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtarë të NATO-s, ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të rrisin angazhimin e tyre, për të zbatuar marrëveshjet, e dala nga dialogu. Sipas tij, avancimi me zbatimin e marrëveshjeve dërgon më shpejt në rrugën drejt BE-së. Borrell theksoi se BE dhe NATO kanë shumë nevojë që të bashkërendojnë punët e tyre në Kosovë.
“BE-ja dhe NATO-ja janë përballur disa herë me momente të vështira dhe ne do të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm ndaj sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë, EULEX-i po luan një rol të rëndësishëm për këtë dhe një gjë të tillë e ka bërë me vite dhe do të vazhdojë ta bëjë”, tha diplomati. Borrel konfirmoi se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të bisedojnë edhe për Ballkanin Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është tepër i rëndësishëm për BE-në. Shumë vende brenda BE-së angazhohen për një të ardhme më të mirë të këtij rajoni. Disa shtete në BP janë kandidate për të qenë në union. Ndjekja prej tyre e politikave tona të jashtme është e një rëndësie primare”, u shpreh shefi i diplomacisë europiane.
Pak përpara takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në pjesën e veriut të Kosovës është vënë re prania e dhunës. Ai shtoi se do të shikohet mundësia, që në Kosovë të shtohen trupat paqeruajtëse.
Të martën dhe të mërkurën, ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s, do të bisedojnë për mënyrën sesi mund ta zgjidhin klimën konfliktuale në Kosovë. Ata do të mblidhen për të diskutuar edhe luftën në Ukrainë, si dhe atë në Lindjen e Mesme./Zëri.ai/