
LONDËR - Mbretëria e Bashkuar akuzon Shërbimin e Sigurisë së Rusisë, FSB, për një fushatë të vazhdueshme hakerimi kibernetik, duke synuar politikanët dhe të tjerë persona, me ndikim në jetën publike. Qeveria tha se një grup vodhi të dhëna përmes sulmeve kibernetike, të cilat më vonë u bënë publike, duke përfshirë materiale të lidhura me zgjedhjet e vitit 2019.
Rusia ka mohuar vazhdimisht pretendimet se është e përfshirë në aktivitete të tilla. Ministri i Jashtëm David Cameron tha se veprimet e grupit ishin plotësisht të papranueshme. "Megjithë përpjekjet e tyre të përsëritura, ata kanë dështuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me aleatët tanë për të ekspozuar veprimtarinë e fshehtë kibernetike ruse dhe për të kërkuar llogari nga Rusia për veprimet e saj," tha ish-kryeministri.
Punonjësi i Ministrisë së Jashtme Leo Docherty tha në Dhomën e Komunëve të enjten se ambasadori i Rusisë është thirrur dhe dy persona janë sanksionuar. Njëri prej tyre është një oficer në shërbim i FSB-së. Ambasadori rus nuk ishte i disponueshëm pasi u thirr të mërkurën, por zyrtarët në vend të kësaj u takuan me zëvendës shefin e misionit të Ambasadës Ruse dhe shprehën shqetësimin e thellë të Mbretërisë së Bashkuar për sulmet e supozuara kibernetike.
Grupi akuzohet për kryerjen e qindra hakimeve të shënjestruara kundër politikanëve, nëpunësve civilë, atyre që punojnë për shoqata të shoqërisë civile, gazetarëve, akademikëve dhe të tjerëve, me ndikim në jetën publike. Sulmet kryesisht synonin emailet private të individëve, pas kërkimeve të gjera dhe krijimit të llogarive false, që imitonin kontaktet e besuara.
Në mesin e atyre që u vunë në shënjestër ishte një deputet, i cili i tha BBC-së në shkurt se emailet e tij ishin vjedhur. Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) është agjencia pasardhëse e KGB-së, e cila operoi gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Presidenti rus Vladimir Putin ishte drejtor i FSB-së për një periudhë në vitet 1990. Grupi i lidhur me FSB-në - dhe konkretisht pjesa e saj e njohur si Qendra 18 - ka synuar Mbretërinë e Bashkuar, duke vjedhur informacione nga ata në jetën politike dhe publike, të paktën që nga viti 2015.
Pretendohet se grupi i hakerave është akoma aktiv. SHBA pritet gjithashtu të njoftojë veprime kundër grupit. “Rusia po shkatërron procesin demokratik të Mbretërisë së Bashkuar”, thanë zyrtarët perëndimorë. Megjithatë, fushata kibernetike është gjykuar se nuk ka qenë e suksesshme. Akuza publike e së enjtes synon të prishë punën e grupit dhe të rrisë ndërgjegjësimin përpara zgjedhjeve në disa shtete të mëdha, në vitin e ardhshëm. "Ky grup ka marrë një sasi të madhe të dhënash," thanë zyrtarët perëndimorë. "Ky informacion përdoret për të minuar Perëndimin në mënyra të ndryshme", shtuan ata.
Mbretëria e Bashkuar kishte akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 2019-ës, pasi vodhi dokumente mbi tregtinë SHBA-MB nga deputeti konservator Liam Fox, të cilat më pas u zbuluan. Por kur kjo akuzë u bë në vitin 2020, grupi specifik që qëndron pas atij sulmi nuk u identifikua dhe tani besohet se është i lidhur me FSB-në. Deputeti i SNP-së, Steuart McDonald, i tha BBC-së këtë shkurt se një grup që besohet të ketë qenë i lidhur me inteligjencën ruse i vodhën emailet e tij, pasi u paraqitën si një nga stafi i tij. Ai foli në publik, në mënyrë që të parandalonte rrjedhjen e çdo emaili. Akuzat për hakerime ndaj Rusisë, vijnë në kohën që tensionet mes Moskës dhe Perëndimit janë shtuar, që kur Rusia pushtoi Ukrainën./ZËRI/