
ANTALIA- Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç ka pasur një përplasje me kryediplomatin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Ky i fund ka replikuar me ministrin serb, Ivica Daçiç teksa po debatonin në Forumin Diplomatik të Antalias, në panelin me titull “Sfidat dhe mundësitë në Ballkan”. Duke folur për iniciativat rajonale, Daçiç kujtoi se Serbia e ka lansuar nismën Ballkani i Hapur dhe shtoi se beson se iniciativa të tilla janë të rëndësishme dhe konstruktive, por që nuk duhet të politizohen.
"Problemi me iniciativat është - a janë ato një zëvendësim i BE-së apo thjesht një instrument?,"- tha Daçiç.
Ai tha se Serbia do të mbështesë çdo vend të Ballkanit Perëndimor drejt hyrjes së saj në BE, por se duhet të respektojnë integritetin tonë territorial.
“Unë ju kërkoj vetëm të respektoni integritetin tonë territorial dhe të mos lejojmë ndikimin perandorak të askujt. Marrëveshjen e Brukselit e kam nënshkruar në vitin 2013, për mua BE-ja atëherë dhe tani është e paaftë të zbatojë atë që kemi nënshkruar, që është Bashkimi i Komunave Serbe. Në vitet '90 duhej të kishte më shumë negociata për të ardhmen e Jugosllavisë, që Jugosllavia të shpërbëhej në paqe, ju mbështes në çdo gjë dhe gjithmonë do të keni mbështetje për integrimin në BE, përderisa kujdeseni se si ta trajtojmë Serbinë në aspektin e integritetit tonë territorial,”-shtoi ai.
Në kundërshtim me të, në fjalën e tij, Osmani theksoi rëndësinë për mbështetjen e Ukrainës dhe rrjedhimisht ruajtjen e qartësisë strategjike në Ballkanin Perëndimor
“Të replikoj, shkurt. Nuk e di pse ministri Daçiç mendon se duhet t’i përgjigjet pretendimeve të mia se Rusia ka ambicie imperialiste dhe Ukraina është vetëm fillimi. Është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për të fituar këtë luftë të drejtë, por edhe për të ruajtur qartësinë tonë strategjike në Ballkan, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut si një vend multietnik, tash kur i kemi zgjedhjet. Pra, të dyja këto dy momente janë thelbësore për ruajtjen e qartësisë strategjike në Ballkanin Perëndimor: duke mbështetur Ukrainën për të fituar këtë luftë të drejtë. Sepse, siç thashë, Ukraina është vetëm stacioni i parë dhe Ballkani Perëndimor do të jetë stacioni i radhës. Pastaj, për integritetin territorial, nuk është imja të komentoj, por mendoj se është e rëndësishme të shikohen vendimet përkatëse të gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, për integritetin territorial,”- tha Osmani.
Forumi Diplomatik i Antalias i hapur dje, zgjat tre ditë dhe mbledh rreth 4500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 drejtues shtetesh dhe 73 ministra, si dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë./ZËRI