Bota

"Burri im më drogoi dhe më përdhunoi."/ Fenomeni i Gisele Pelicot përsëritet në Angli

Historia e një gruaje në Britani që të kujton atë të Gisele Pelicot.

k.m.
"Burri im më drogoi dhe më përdhunoi."/ Fenomeni i
Foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Një rast që të kujton shumë atë të Gisele Pelicot në Francë u bë i njohur disa ditë më parë në Angli. Gisele Pelicot u bë simbol i forcës dhe mbështetjes për viktimat e dhunës kur vendosi që gjyqi i bashkëshortit të saj, i cili për dhjetë vjet e drogoi dhe e përdhunoi, duke i ftuar të tjerët të merrnin pjesë në "lojën" e tij të sëmurë, do të mbahej me dyer të hapura. Ajo mësoi për veprimet e tij kur ai u arrestua për shkak se kishte bërë foto nën fustanin e një gruaje të panjohur në një dyqan në Paris.

Keiti (emri i saj është ndryshuar) zbuloi se burri i saj e drogonte dhe e përdhunonte. Ai ia tha vetë kur u ulën për të folur një mbrëmje në shtëpinë e tyre në Britani.

"Po të përdhunoj. Të kam droguar, përdhunuar, madje dhe të bëj fotografi lakuriq për vite me radhë,"- i tha ai asaj me cinizëm, dhe ajo mbeti pa fjalë.

"Ai ma tha këtë sikur po flisnim për ushqimin që do të gatuanim të nesërmen."

Siç raportojnë mediat britanike, burri i gruas ishte gjithmonë manipulues, kontrollues, i dhunshëm dhe abuzues me ilaçet që i ishin përshkruar nga mjekët. Në fakt, ndonjëherë gruaja zgjohej dhe e gjente atë sipër saj, por nuk mbante mend që i kishte dhënë pëlqimin për të kryer ndonjë akt seksual.  Gjatë gjithë këtyre viteve gruaja e justifikoi dhe e mbështeti derisa e kuptoi se ai po i vinte pilula gjumi në çaj, në mënyrë që ta përdhunonte i pashqetësuar.

Reagimet pas rrëfimit

Pasi i tregoi çfarë kishte bërë, autori ia bëri të qartë se nëse e denonconte në Polici, do t'i jepte fund jetës, ndaj edhe ajo nuk shkoi. Ajo mendonte se nuk mund t’ua bënte diçka të tillë fëmijëve të saj. Në fund të fundit, ai ishte babai i tyre dhe ata kishin ndarë një jetë së bashku. Ajo zgjodhi heshtjen, gjë që çoi në sulme të forta paniku, stres dhe një barrë emocionale që nuk mund ta duronte. Ajo nuk mund të flinte, humbi peshë në një masë alarmante dhe nuk ishte në gjendje të funksiononte më si më parë.

Derisa një ditë vendosi që të fliste me të motrën. Ishte kjo e fundit që lajmëroi Policinë.

Përsëri, kur Policia i kërkoi të dëshmonte, ajo tha se nuk donte të ngrinte padi. Frika e kishte pushtuar.

"Nuk isha gati...

Trishtimi dhe dhimbja ishin shumë të forta brenda meje. Nuk më shqetësonte vetëm mua, por edhe fëmijët e mi. Babai i tyre nuk do të ishte më kurrë i njëjti në sytë e tyre."

Hetimi filloi dhe Keiti pranoi se hetuesit e ndihmuan të kuptonte se kishte përjetuar një traumë shumë serioze. Një krim madje.

"Ata më ndihmuan të rifitoja forcën time. Nuk e kuptova që ma kishte marrë. Ata më shpjeguan se isha përdhunuar."

Çështja shkoi në gjykatë në vitin 2022, pesë vjet pasi ish-burri i Kate-it rrëfeu. Gjatë gjyqit, ai pretendoi se gruaja e tij kishte fantazi dhe drogat ishin për ta “lidhur” pa e zgjuar. Megjithatë, mbrojtja e tij nuk e bindi gjykatën dhe pas një gjyqi që zgjati një javë, ai u dënua me 11 vjet burg me kufizime të përjetshme. Gjykata e përshkroi atë si "egoist, i cili i jep përparësi vetëm nevojave të tij të paarsyeshme dhe nuk ka treguar në asnjë moment, asnjë shenjë pendese."

Keiti, pavarësisht drejtësisë që po vihet në vend, nuk është rikuperuar nga përvoja traumatike që kaloi dhe ende po përpiqet të rikuperohet.

“Abuzimi dhe pasojat e tij janë një proces i vazhdueshëm shërimi për të, e cila është diagnostikuar me stres post-traumatik dhe çrregullime neurologjike,”-thanë për të mjekët./ZËRI

Poll

MOS HUMB