
GAZA- Që nga sulmi i grupit militant Hamas më 7 tetor, konflikti midis Izraelit dhe forcave palestineze ka krijuar një numër të madh viktimash, nga të dyja palët.
Lufta mund të përfshihet në një sistem kompleks ndërkombëtar drejtësie, që është aplikuar që nga Lufta e Dytë Botërore.
Cilat ligje rregullojnë konfliktin?
Rregullat e pranuara ndërkombëtarisht të konfliktit të armatosur janë publikuar në Konventën e Gjenevës të vitit 1949, të cilat u ratifikuan nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së.
Një seri traktatesh rregullojnë trajtimin e civilëve, luftëtarëve dhe të burgosurve të luftës, në një sistem të njohur kolektivisht si "Ligji i Konfliktit të Armatosur" ose "E Drejta Ndërkombëtare Humanitare". Ai zbatohet për forcat shtetërore dhe grupet e armatosura të organizuara, duke përfshirë militantët e Hamasit.
Nëse autorët e mizorive të dyshuara palestineze në Izrael dhe të gjithë autorët e dyshuar të krimeve në territoret e pushtuara palestineze nuk shkojnë përpara drejtësisë vendore, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë është i vetmi organ juridik ndërkombëtar i mandatuar për të ngritur akuza.
Gjykatat vendase mund të aplikojnë të ashtuquajturin "juridiksion universal" në rastet e krimeve të luftës, por ai ka një shtrirje të kufizuar.
Statuti i Romës që themeloi ICC-në, i jep kësaj të fundit, autoritetin ligjor për të hetuar krimet e supozuara në territorin e shteteve anëtare të OKB-së, kur gjykatat vendase nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të ngrenë akuza.
Zyra e prokurorit të GJNP-së konfirmoi se mandati i saj vlen për krimet e mundshme të kryera në konfliktin aktual dhe tha se gjykata vijon të mbledhë informacione.
Cili është roli i Gjykatës së Hagës?
Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), gjykata e përhershme botërore për krimet e luftës, u hap në Hagë në vitin 2002. Ajo ka juridiksion mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin, të kryera nga shtetasit e 123 shteteve, që e kanë pranuar si institucion.
Shumë nga fuqitë kryesore të botës nuk janë anëtarë të Gjykatës së Hagës, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Indinë dhe Egjiptin. Haga e njeh Palestinën si një shtet anëtar, ndërsa Izraeli refuzon juridiksionin e gjykatës dhe nuk angazhohet zyrtarisht me të.
Me një buxhet dhe staf të kufizuar, prokurorët e ICC-së tashmë po hetojnë 17 raste, duke filluar nga Ukraina dhe Afganistani deri në Sudan e Mianmar. Me një buxhet të vitit 2023 prej pak më pak se një milion euro (1.06 milion dollarë) për hetimet në territoret palestineze, GJNP-ja po kërkon burime financiare të tjera.
GJPN-ja ka pasur një hetim të vazhdueshëm mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në territoret e pushtuara palestineze, që nga viti 2021.
Ende nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti
Prokurorët thanë në vitin 2021 se kishte një bazë të arsyeshme për të besuar se shkeljet ishin kryer nga të gjitha anët, përfshirë trupat izraelite, militantët e Hamasit dhe grupet e tjera të armatosura palestineze.
Cilat veprime përbëjnë krime lufte?
Vrasja ose plagosja me qëllim e civilëve, sulmet pa dallim me raketa dhe pengmarrjet civile nga grupet e armatosura palestineze, por dhe kundërsulmet izraelite në Gaza, që vranë mijëra palestinezë, citohen si krime të mundshme lufte nga Human Rights Watch.
“Vrasjet e qëllimshme të civilëve, marrja e pengjeve dhe dënimet kolektive janë krime të urryera që nuk kanë asnjë justifikim”, tha Omar Shakir, drejtori i HRW për Izraelin dhe Palestinën.
Marrja e pengjeve, vrasja dhe tortura janë të ndaluara sipas Konventave të Gjenevës, ndërsa përgjigja e Izraelit mund të jetë gjithashtu objekt i një hetimi për krimet e luftës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u përball me kritika nga zyrtarët e OKB-së dhe grupet e të drejtave të njeriut, kur njoftoi një bllokadë për Gazën, që përfshiu ndalimin e ujit, ushqimit dhe karburantit.
Gallant gjithashtu u zotua të fshijë Hamasin nga faqja e dheut, mes paralajmërimeve, se Izraeli do të nisë një pushtim tokësor për të shkatërruar grupin militant palestinez.
A zbatohen konventat e Gjenevës?
Izraeli ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet, tha presidenti amerikan Joe Biden të martën, duke shtuar se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin diskutuar se si demokracitë si Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë më të forta dhe më të sigurta kur veprojnë sipas ligjit.
Një rrethim mund të konsiderohet një krim lufte, nëse ai synon civilët, ose nëse rezulton se është joproporcional në raport me pasojën fillestare. Sulmet ndaj objektivave ushtarake duhet të jenë proporcionale, sipas ligjit ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Izraeli nuk mund të vrasë e të godasë pa fund zonën.
Nick Kaufman, një avokat mbrojtës izraelit me origjinë britanike në ICC, përmendi vrasjet e tmerrshme nga militantët e Hamasit të qindra njerëzve, që ishin duke festuar dhe civilëve në disa vendbanime në Kibbutz. Ai tha se këta veprime përbëjnë krim lufte.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë humbur jetën, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/