
BEOGRAD – Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç në një intervistë për median serbe në Kosovë, Kosovo Online, deklaroi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është faktor destabiliteti në rajon. Ai e quajti Kurtin, një “fuçi baruti” në Ballkan. “Situata në Kosovë është tepër dramatike. Kjo tregon se ne kemi pasur shumë të drejtë, kur kemi thënë se Albin Kurti është faktor destabiliteti në rajon”, tha ai. Sipas Daçiç, Kurti është ndër ata politikanë që merr vendime pa dëgjuar askënd dhe se nuk e dinte nëse do të merrte parasysh këshillat e tij.
Ivica Daçiç nënvizoi se presidenti serb Aleksandër Vuçiç duhet që ta bëjë të qartë në OKB se gjendja në Kosovë nuk është aspak e mirë. Sipas tij, serbët mund të përballen me situatë të rëndë, për shkak, sipas tij, të qeverisjes së Kurtit. “Albin Kurti po degradon gjendjen e serbëve në Kosovë. Synimi i tij duket se është që të dëbojë një komb të tërë nga vatrat shekullore. Shpresoj që gjithë bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë seriozitetin e situatës ku ndodhet sot Kosova. Ne do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur popullin tonë në Kosovë”, tha ai.
Së fundmi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vendosi që dinari të mos lejohet për këmbime në Kosovë, por të përdoret vetëm euro. Vendimi ka shkaktaur reagim nga ndërkombëtarët./ZËRI/