
FRANCË-Presidenti francez, Emmanuel Macron, vazhdon të qëndrojë pas fjalëve të tij të mëparshme, se Evropa nuk duhet të përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë. Në një intervistë të dhënë për The Economist, Macron ripërsëriti qëndrimin e tij në lidhje me qasjen që Perëndimi duhet të ketë kundrejt Rusisë.
"Absolutisht. Siç thashë, nuk përjashtoj asgjë, sepse po përballemi me dikë që nuk përjashton asgjë. Ne kemi qenë padyshim shumë hezitues për të vendosur kufijtë e veprimeve tona kundër dikujt që nuk ka asnjë dhe që është një agresor. Kapaciteti ynë është të jemi të besueshëm, të vazhdojmë të ndihmojmë, t'i japim Ukrainës mjetet për të rezistuar. Por besueshmëria varet gjithashtu nga aftësia për të penguar duke mos dhënë pamje të plotë të asaj që do të bëjmë ose nuk do të bëjmë. Përndryshe, ne dobësojmë veten, që është korniza në të cilën kemi vepruar deri tani. Unë kam një objektiv të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë. Nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të ketë me siguri në Evropë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet atje? Çfarë sigurie do të ketë për vendet tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?" shtoi ai.
Hera e parë që Macron përmendi mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë ishte në shkurt, pasi ai kishte pritur liderët evropianë në Paris, në një konferencë për ndihmën për Ukrainën. Deklarata e tij shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare. Intervista e Macron vjen nje javë pasi ai mbajti një fjalim të fortë ku deklaroi se Evropa mund të “vdesë” për shkak të kërcënimit të paraqitur nga agresioni rus, ndaj apeloi për rritje të kapaciteteve mbrojtëse evropiane./ZËRI