Bota

Dështon eksperimenti, vdes njeriu që transplantoi për herë të parë veshkën e derrit

Përveç sëmundjes së veshkave, Slayman vuante edhe nga diabeti i tipit 2 dhe hipertensioni. Në vitin 2018, ai kreu një transplant të veshkës njerëzore, por filloi të dështonte pas pesë vjetësh.

F.m
Dështon eksperimenti, vdes njeriu që transplantoi për herë
Richard "Rick" Slayman

SHBA- Burri i parë që transplantoi veshkën e derrit ka vdekur dy muaj pas operacionit, ka thënë spitali i Përgjithshëm i Massachusetts (MGH) që ka kryer procedurën.

Richard "Rick" Slayman, 62 vjeç, vuante nga sëmundja e veshkave në fazën e fundit përpara se t'i nënshtrohej operacionit në mars.

Transplantet e organeve të tjera nga derrat e modifikuar gjenetikisht kanë dështuar në të kaluarën, por operacioni ndaj zotit Slayman u përshëndet si një moment historik.

Përveç sëmundjes së veshkave, Slayman vuante edhe nga diabeti i tipit 2 dhe hipertensioni. Në vitin 2018, ai kreu një transplant të veshkës njerëzore, por filloi të dështonte pas pesë vjetësh.

Pas transplantimit të veshkës së derrit më 16 mars, mjekët e tij konfirmuan se ai nuk kishte më nevojë për dializë pasi organi i ri funksiononte mirë.

"Slayman do të shihet përgjithmonë si një fener shprese për pacientët e panumërt në mbarë botën dhe ne jemi thellësisht mirënjohës për besimin dhe gatishmërinë e tij për të avancuar fushën e ksenotransplantimit,"- tha MGH në një deklaratë.

Xenotransplantimi është transplantimi i qelizave, indeve ose organeve të gjalla nga një specie në tjetrën.

Të afërmit e Slayman thanë se historia e tij ishte një frymëzim.

"Rick tha se një nga arsyet që ai iu nënshtrua kësaj procedure ishte të jepte shpresë për mijëra njerëz që kanë nevojë për një transplant për të mbijetuar,"- thanë ata.

“Rick e realizoi atë qëllim dhe shpresa dhe optimizmi i tij do të qëndrojnë përgjithmonë.”

"Për ne, Rick ishte një burrë zemërmirë me një sens humori të zgjuar, i cili ishte i përkushtuar ndaj familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij," shtuan ata.

Dy pacientë të tjerë kanë marrë transplantim të zemrës së derrit, por ato procedura ishin të pasuksesshme pasi marrësit vdiqën disa javë më vonë.

Në një rast, kishte shenja se sistemi imunitar i pacientit kishte refuzuar organin, i cili është një rrezik i zakonshëm në transplantime.

Poll

MOS HUMB