
BRUKSEL- Grave mund t’u jepet statusi i azilitnëse në vendin e tyre të origjinës kërcënohen nga “dhuna fizike ose psikologjike”. Gjykata e drejtësisë e BE-së vendosi se gratë jashtë Bashkimit Evropian, të cilat janë në rrezik të dhunës me bazë gjinore, siç janë të ashtuquajturat vrasje nderi, mund të kualifikohen për statusin e refugjatit, shkruajnë mediat e huaja.
Gjykata pranon se dhuna me bazë gjinore është një formë persekutimi
Rasti doli pasi një shtetase turke pretendoi se familja e saj e detyroi atë të martohej në Turqi. Pasi u rrah dhe u kërcënua nga i shoqi, ajo u arratis në Bullgari dhe aplikoi për mbrojtje ndërkombëtare në vendin ballkanik, duke bërë që një gjykatë bullgare të kërkonte një vendim nga GJED. Gruaja më vonë udhëtoi për në Gjermani.
Avokati i Përgjithshëm i GJED-së, Richard de la Tour, kishte paralajmëruar gjykatën e Luksemburgut se nëse gruaja në fjalë detyrohej të kthehej në Turqi, ajo do të përballej me "akte të dhunës së rëndë martesore". Dhuna e përsëritur është në gjendje të çojë në një shkelje serioze të të drejtave themelore të një personi, theksoi ai.
Arsyet për marrjen e statusit të refugjatit sipas ligjit të Bashkimit Evropian përfshijnë persekutimin për arsye të racës, fesë, kombësisë, opinionit politik ose anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror. Konfirmimi nga GJED jep shpresë për shumë gra dhe vajza që kërkojnë azil në të gjithë BE-në.
Gjykata theksoi se sidomos në rastin e kërcënimeve nga një anëtar i familjes apo bashkësisë së tyre “për shkak të një shkeljeje të presupozuar të normave kulturore, fetare ose tradicionale” gratë mund të përfitojë të drejtën për mbrojtje shtesë./ZËRI