LIVE UPDATES

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në Gaza, mbi 8500 të vdekur

➤ Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan të premten se po "zgjerojnë operacionet tokësore" në Rripin e Gazës dhe se po operojnë në të gjitha frontet për të përmbushur qëllimet e saj në luftën me Hamasin. ➤Nga ana tjetër, banorët e Gazës janë izoluar tërësisht pasi nuk kanë valë dhe telefonat e tyre celularë janë plotësisht jashtë funksionit. ➤Një ofensivë e konsiderueshme tokësore është pritur që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, por nuk është ende e qartë nëse IDF ka nisur sonte nga sulmi. ➤Kjo është nata e dytë që ushtria izraelite po kryen sulme ajrore që do mendohet se do u paraprijnë sulmeve tokësore gjatë ditëve në vijim. ➤ Ndërkohë, presioni po rritet mbi komunitetin ndërkombëtar për të bindur Izraelin që të lejojë ndihmën humanitare të nevojshme në Gaza. Ndërsa dërgesat fillestare të ndihmave kanë ofruar ushqim, ujë dhe ilaçe, ato nuk kanë përfshirë karburantin. ➤ Deri më tani numri i viktimave, nga të dyja palët në konfliktin Izrael-Palestinë, ka shkuar mbi 8500. ➤Gjykata e Hagës tha se ka nisur hetimet për luftën Izrael-Hamas, por ende nuk ka asnjë person të arrestuar për krime lufte. ➤Ushtria izraelite ka ndaluar besimtarët, që të falin namazin e së premtes në xhaminë Al Aqsa. ➤OBSH ka konfirmuar se më tepër se 7000 njerëz kanë vdekur në Gaza nga sulmet e raketave izraelite. 3000 prej viktimave janë fëmijë. Karburanti në enklavë po mbaron, teksa në Gaza po lëvizin vetëm ambulancat. ➤SHBA ka thënë se në Siri ka goditur disa objektiva, që dyshohet se kanë sulmuar forcat amerikane. Uashingtoni theksoi se sulmet në Siri nuk kanë lidhje me luftën Izrael-Hamas. ➤Izraeli pretendon se Hamasi përdor spitalet në Gaza si bazë ushtarake. Hamasi mohoi akuzat, ndërsa shtoi se deklaratat e izraelitëve, mund të kenë si qëllim, nisjen e një masakre të radhës mbi popullsinë civile. ➤Një shpërthim i madh ka ndodhur në Gaza. Izraeli tha se këtë mbrëmje do të nisë operacionin tokësor në enklavë, "deri në zhdukjen e Hamasit".

11 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Izraeli shton bombardimet, tanket përparojnë në Veri të Gazës

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Foto ilustruese

GAZA- Ka rinisur sulmi mbi Gaza! Ushtria izraelite thotë se po zgjeron operacionet e saj. Rrjetet e komunikimit janë ndërprerë dhe bombardimet janë intensifikuar ndjeshëm. Njerëzit në Gaza nuk mund të kontaktohen aktualisht, pasi rrjetet e komunikimit janë ndërprerë që prej kohës kur bombardimet u intensifikuan. 

Krahu ushtarak i Hamasit thotë se është duke u përplasur me forcat izraelite në Gazën veriore dhe gjithashtu ka shënjestruar dy qytete jugore izraelite me "breshëri të forta raketash". Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka paralajmëruar sërish njerëzit në qytetin e Gazës që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre. 

Luftimet, sipas fraksionit të Hamasit, po zhvillohen në pjesën veriore të Rripit, pikërisht aty ku shteti hebre ka zgjeruar operacionin tokësor duke futur edhe tanket. Ndërkohë që tanket mësyjnë, Gaza ka mbetur tërësisht e shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.

Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle është ndërhyrja, por, sipas zëdhënësve ushtarakë izraelitë, nuk kemi të bëjmë ende me atë operacion përfundimtar. Nga ana tjetër, thirrje të vazhdueshme kanë ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili vazhdon dhe këmbëngul se palët duhet të shpallin armëpushim./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Shpërthim i madh në Gaza, ushtria izraelite paralajmëron banorët

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në

GAZA – Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se një shpërthim i madh ka ndodhur në Gaza.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari ka thënë se sonte, Izraeli do të nisë operacionin e madh tokësor në Gaza.

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Momente gjate shperthimit ne Gaza

“Sonte do të nisim operacionin e madh tokësor në Gaza. I bëj thirrjeve civilëve, që të lëvizin në jug të enklavës.

Ne do të sulmojmë të gjitha vendet, ku militantët e Hamasit kanë ngritur bazat e tyre. Izraeli do ta çojë deri në fund misionin e tij", tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite. 

Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz, kanë humbur jetën nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Izraeli: Hamasi përdor spitalet si bazë ushtarake! Grupi militant mohon akuzën

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Zedhenesi i ushtrise izraelite, Daniel Hagari

GAZA - Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, në një konferencë për mediat, tha se Hamasi po përdor spitalet si bazë ushtarake “terroriste”.

Hagari i referohet specifikisht spitalit Al Shifa, më i madhi në Rripin e Gazës. Ai përshkruan një rrjet të përpunuar tunelesh nën spital, nga i cili thotë se mund të planifikohen sulme.

Hagari thotë se "qindra terroristë ikën në spital për t'u fshehur atje" pas sulmeve ndaj Izraelit më 7 tetor. Ai shprehet se Izraeli ka informacione se ka karburant në spitalet në Gaza dhe Hamasi po e përdor atë “për infrastrukturat e tij terroriste".

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite shprehet se Izraeli e bën dallimin e qartë mes militantëve të Hamasit dhe civilëve.

Por, Hamasi ka mohuar pretendimet izraelite. Një zyrtar i lartë i Hamasit shprehet se organizata militante nuk përdor asesi spitalet si baza ushtarake.

Komandanti i lartë i organizatës palestineze, shprehet se Izraeli ngre të tilla pretendime, sepse me siguri po përgatit një sulm të ri kundër popullatës civile palestineze./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Postoi për luftën Izrael-Hamas, futbollistit i ndërpritet kontrata

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Anuar El Ghazi

GJERMANI - Ish-anësorit të Aston Villas dhe Evertonit, Anuar El Ghazi, do t'i ndërpritet kontrata me Mainzin, për një postim në rrjetet sociale, në lidhje me konfliktin Izrael-Gaza.

El Ghazi u pezullua më 17 tetor nga klubi i Bundesligës, i cili e quajti postimin e tij, që u fshi më vonë, si të papranueshëm. Në një takim të enjten, klubi kërkoi që 28-vjeçari të kërkonte falje për postimin, që u perceptua si pro-palestinez.

Por holandezi u tha drejtuesve të lartë të klubit se ai dëshiron paqe dhe dënon vrasjet e civilëve, pavarësisht etnisë. Burime i thanë BBC Sport se El Ghazi ishte informuar se do t'i anulohej kontrata.

Lojtari shkroi më vonë: "Ngushëllimet e mia janë me viktimat e pafajshme të këtij konflikti, pavarësisht nga kombësia e tyre. Unë jam i përkushtuar për një rajon paqësor të Lindjes së Mesme.

Duke shpresuar se deklaratat e mia të mëparshme janë keqkuptuar, do të doja të bëja të qartë se unë qëndroj për paqen dhe humanizmin për të gjithë”.

El Ghazi iu bashkua klubit, në një transferim të lirë më 22 shtator, pasi u largua nga PSV Eindhoven. Kur u kontaktua nga BBC Sport, klubi i Mainz nuk pranoi të komentonte ngjarjen.

Stadiumi i Mainz-it mban emrin e anëtarit themelues, Eugen Salomon, një hebre. Salomon vdiq në Holokaust në 1942./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit në Gaza?

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Gaza

GAZA – Situata në Gaza vazhdon të jetë tepër problematike, me komunitetin ndërkombëtar, që po përpiqet të gjejë zgjidhje për krizën e rëndë, që ka pllakosur enklavën.

Cilat janë ngjarjet më të rëndësishme, që kanë ndodhur në Gaza, në 24 orët e fundit?

Mjekët thanë se tre persona janë plagosur në një sulm me raketa në një ndërtesë apartamentesh, në qytetin izraelit të Tel Avivit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 7028 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Gati 3000 viktima ishin fëmijë.

Dhjetë kamionë të tjerë ndihma që transportonin ujë, ushqim dhe furnizime mjekësore janë lejuar të hyjnë në Gaza, të shoqëruara nga një ekip mjekësor. Agjencitë humanitare dhe bamirëse vazhdojnë të thonë se nevojiten shumë më tepër ndihma.

Karburanti nuk është lejuar në enklavë, që nga fillimi i luftës, dhe Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe i tha BBC-së se karburanti po mbaron dhe se vetëm ambulancat po punojnë.

UNRWA (agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë) përsëriti thirrjet për një armëpushim humanitar dhe tha se puna e agjencisë së OKB-së nuk do zgjasë më shumë se disa ditë, nëse konflikti vazhdon, pasi të paktën 57 njerëz nga stafi i OKB në Gaza, ishin vrarë.

Sulmi brutal i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor vrau të paktën 1400 njerëz, ndërsa 229 të tjerë ende mendohet se janë pengje.

SHBA ka këmbëngulur se sulmet e saj në Sirinë lindore ishin një përgjigje, ndaj sulmeve kundrejt forcave të saj në Irak dhe Siri, nga grupet e milicisë të mbështetura nga Irani. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se sulmet nuk kanë lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi sulmoi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme, të të dyja palëve./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

'Pse vrisni civilët?', zyrtari i Hamasit ndërpret intervistën

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Ghazi Hamad

BEIRUT- Zëvendësministri i Jashtëm i Hamasit në Gaza, Ghazi Hamad ka lënë intervistën e BBC. Korrespondenti i BBC-së për Lindjen e Mesme, Hugo Bachega, pyeti zëvendësministrin e Jashtëm të Hamasit në Gaza, Ghazi Hamad, se si e justifikonte sulmin. Por Hamad këmbënguli se udhëheqja e Hamasit nuk kishte dhënë “asnjë urdhër për të vrarë civilë”.

Hamad sqaroi se nuk është një konfrontim i thjeshtë kur ata hynë në shtëpitë e njerëzve.

Gazetari e pyet: Si e justifikoni vrasjen e njerëzve ndërsa ata flenë? Si e justifikoni vrasjen e qindra njerëzve? Ndaj dhe si kundërpërgjigje, Hamadi heq mikrofonin e tij, e më pas ngrihet nga karrigia.

“Dua ta ndaloj këtë intervistë,”-tha ai dhe u largua.

Më herët, gjatë intervistës tha se grupi militant palestinez kishte pritur ndërhyrje më të fortë nga Hezbollahu në luftën ndaj Izraelit. Duke bërë kështu një thirrje të rrallë publike për aleatët e tij në rajon që t'u bashkoheshin në luftë./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Ushtria izraelite ndalon besimtarët të falin namazin në xhaminë Al Aqsa

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Ushtria izraelite ne xhamine Al Aqsa

JERUZALEM - Policia izraelite nuk i lejoi palestinezët të hynin brenda xhamisë Al-Aksa, të cilët erdhën për të falur namazin e së premtes, duke vendosur barrikada rreth xhamisë dhe në portat e hyrjes.

Vetëm disa prej tyre u lejuan, pas kontrolleve të imtësishme për identitetin. Në hyrje të xhamisë, disa burra mësohet se janë keqtrajtuar.

"Në Portën e Luanit, pika normale e hyrjes për xhaminë Al-Asqa, ne kemi parë disa burra të keqtrajtuar fizikisht nga policia izraelite", tha një person aty pranë.

Burri po përpiqej të shpjegojë se ai u godit nga një oficer policie, ndërsa donte të hynte brenda xhamisë për t'u lutur, raporton Al Jazeera.

"Është tepër e vështirë për këdo që t'i afrohet xhamisë. Normalisht do të shihnim mijëra njerëz këtu për lutjet e mesditës, por nuk ka më njerëz. Kjo sepse po ushtrohet terror.

Blloqe janë vendosur nëpër rrugë, në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar. Njerëzit po bllokohen të vijnë për lutje në xhami, gjatë një dite të shenjtë, siç është e sotmja”, shtoi burri. Raportohet se edhe një grua me shami, u shty nga oficerët dhe nuk u lejua të hyjë në xhami.

Lutja në mesditë, gjatë ditës së premte, është momenti më i rëndësishëm për besimtarët myslimanë./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Pse Biden ka ulur tonet për luftën Izrael-Hamas?

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Biden dhe Netanyahu

UASHINGTON- Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe ekipi i tij kanë ndryshuar dukshëm tonin e tyre për luftën Izrael-Hamas ditët e fundit. Sfondi politik kaloi nga mbështetja e pakufizuar e Izraelit fillimisht, në atë se duhen mbrojtur civilët palestinezë.

Biden nuk e ka ndryshuar besimin e tij themelor se Izraeli ka të drejtën për të mbrojtur veten, pas sulmeve të 7 tetorit nga militantët e Hamasit, që vranë 1400 njerëz në Izraelin jugor.

Por një rritje e shpejtë e numrit të vdekjeve palestineze, vështirësia e lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe një protestë gjithnjë e më e zëshme nga kombet arabe, aleatët evropianë dhe disa amerikanë, e kanë shtyrë ekipin e Biden të mbështesë çështjen humanitare në konflikt.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimi i tonit i Biden bazohej në faktet në terren në Gaza, në krizën humanitare që po përkeqësohet dhe bisedat e ekipit të Biden me vendet në mbarë botën.

Ka pasur debate në prapaskenë midis Biden dhe këshilltarëve të tij në lidhje me mesazhin e SHBA-së, për luftën në Lindjen e Mesme, tha një ish-zyrtar që është në kontakt me zyrtarët aktualë. "Ne kemi parë sesi gjërat kanë rrjedhur në luftë, pasi tashmë edhe palestinezët po pësojnë së tepërmi", tha ish-zyrtari.

“Administrata nuk kishte pritur që viktimat palestineze në konflikt të jenë 7000, thonë zyrtarët lokalë – ose që situata humanitare të përkeqësohej në mënyrë kaq dramatike”, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

"Unë mendoj se tonet kanë ndryshuar qartë. Kjo ka ndodhur, sepse është parë situata në terren. Gjithashtu, Biden mund të shikojë me kujdes, se situata po rrëshket në mënyrë të rrezikshme, pasi Izraeli pritet të hyjë nga toka në Gaza" tha Aaron David Miller, një ekspert i çështjeve të Lindjes së Mesme në Carnegie.

Biden, 80 vjeç, ka evoluar edhe për shkak të zërave të tjerë në lidhje me ‘luftën politike’ brenda SHBA-ve, kundërshtarët që kanë vënë në dukje se Uashingtoni nuk po mbron kauzën palestineze, si dhe paralajmërimit nga ish-presidenti Barack Obama, se veprimet e Izraelit mund të dështojnë.

Zyrtarët izraelitë dhe mbështetësit e tyre amerikanë kanë shprehur privatisht shqetësimin për Reuters se sa më shumë që kalon kohë nga mizoritë e 7 tetorit të kryera nga Hamasi, aq më shumë fokusi i botës do të jetë te vdekja dhe shkatërrimi nga sulmi izraelit në Gaza.

Ndihmësit e Bidenit po u bëjnë thirrje homologëve të tyre izraelitë që të marrin më shumë kohë për të menduar me kujdes strategjinë e tyre, përpara një pushtimi tokësor në shkallë të plotë, tha një burim amerikan.

Këshilltarët ushtarakë amerikanë të dërguar në rajon po u bëjnë thirrje homologëve izraelitë, që të jenë të kujdesshëm, sepse çdo forcë pushtuese do të përballet me terrene të vështira luftarake dhe tunele e ndërtesa, që mund të rrisin viktimat midis ushtarëve izraelitë dhe civilëve të Gazës.

PRESIONI I UDHËHEQËVE ARAB

Kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, Biden ofroi mbështetje të plotë për Izraelin, teksa ai i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij.

"Shtetet e Bashkuara do mbështesin Izraelin," tha Blinken. Ai nuk e përmendi fare ndihmën humanitare.

Gjatë udhëtimit gjashtë-ditor të Blinken, numri i të vdekurve në Gaza u rrit dhe kishte mjaft shqetësime për ushqimin dhe ujin. Çdo lider arab që takonte Blinken në rajon, i bëri presion që të gjente urgjentisht një zgjidhje për situatën e përkeqësuar në Gaza.

Blinken tregoi shqetësimet e liderëve arabë, ndërsa të tjerët folën drejtpërdrejt me presidentin e SHBA.

Protestat intensive kundër Izraelit pas një sulmi në një spital palestinez, për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli fajësuan militantët palestinezë, alarmuan gjithashtu zyrtarët amerikanë.

Protestat ishin përkujtues të rreziqeve të përshkallëzimit gjatë çdo sulmi tokësor, thanë zyrtarët amerikanë.

Tashmë, kur viktimat në Gaza janë rritur ndjeshëm dhe zgjedhjet e 2024 janë afër, presidenti amerikan Joe Biden, po përpiqet të mbrojë edhe veten, por edhe të jetë më pranë asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Cilat krime lufte janë konsumuar në luftën Izrael-Hamas?

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Gaza

GAZA- Që nga sulmi i grupit militant Hamas më 7 tetor, konflikti midis Izraelit dhe forcave palestineze ka krijuar një numër të madh viktimash, nga të dyja palët.

Lufta mund të përfshihet në një sistem kompleks ndërkombëtar drejtësie, që është aplikuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Cilat ligje rregullojnë konfliktin?

Rregullat e pranuara ndërkombëtarisht të konfliktit të armatosur janë publikuar në Konventën e Gjenevës të vitit 1949, të cilat u ratifikuan nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së.

Një seri traktatesh rregullojnë trajtimin e civilëve, luftëtarëve dhe të burgosurve të luftës, në një sistem të njohur kolektivisht si "Ligji i Konfliktit të Armatosur" ose "E Drejta Ndërkombëtare Humanitare". Ai zbatohet për forcat shtetërore dhe grupet e armatosura të organizuara, duke përfshirë militantët e Hamasit.

Nëse autorët e mizorive të dyshuara palestineze në Izrael dhe të gjithë autorët e dyshuar të krimeve në territoret e pushtuara palestineze nuk shkojnë përpara drejtësisë vendore, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë është i vetmi organ juridik ndërkombëtar i mandatuar për të ngritur akuza.

Gjykatat vendase mund të aplikojnë të ashtuquajturin "juridiksion universal" në rastet e krimeve të luftës, por ai ka një shtrirje të kufizuar.

Statuti i Romës që themeloi ICC-në, i jep kësaj të fundit, autoritetin ligjor për të hetuar krimet e supozuara në territorin e shteteve anëtare të OKB-së, kur gjykatat vendase nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të ngrenë akuza.

Zyra e prokurorit të GJNP-së konfirmoi se mandati i saj vlen për krimet e mundshme të kryera në konfliktin aktual dhe tha se gjykata vijon të mbledhë informacione.

Cili është roli i Gjykatës së Hagës?

Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), gjykata e përhershme botërore për krimet e luftës, u hap në Hagë në vitin 2002. Ajo ka juridiksion mbi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin, të kryera nga shtetasit e 123 shteteve, që e kanë pranuar si institucion.

Shumë nga fuqitë kryesore të botës nuk janë anëtarë të Gjykatës së Hagës, duke përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Indinë dhe Egjiptin. Haga e njeh Palestinën si një shtet anëtar, ndërsa Izraeli refuzon juridiksionin e gjykatës dhe nuk angazhohet zyrtarisht me të.

Me një buxhet dhe staf të kufizuar, prokurorët e ICC-së tashmë po hetojnë 17 raste, duke filluar nga Ukraina dhe Afganistani deri në Sudan e Mianmar. Me një buxhet të vitit 2023 prej pak më pak se një milion euro (1.06 milion dollarë) për hetimet në territoret palestineze, GJNP-ja po kërkon burime financiare të tjera.

GJPN-ja ka pasur një hetim të vazhdueshëm mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në territoret e pushtuara palestineze, që nga viti 2021.

Ende nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti

Prokurorët thanë në vitin 2021 se kishte një bazë të arsyeshme për të besuar se shkeljet ishin kryer nga të gjitha anët, përfshirë trupat izraelite, militantët e Hamasit dhe grupet e tjera të armatosura palestineze.

Cilat veprime përbëjnë krime lufte?

Vrasja ose plagosja me qëllim e civilëve, sulmet pa dallim me raketa dhe pengmarrjet civile nga grupet e armatosura palestineze, por dhe kundërsulmet izraelite në Gaza, që vranë mijëra palestinezë, citohen si krime të mundshme lufte nga Human Rights Watch.

Vrasjet e qëllimshme të civilëve, marrja e pengjeve dhe dënimet kolektive janë krime të urryera që nuk kanë asnjë justifikim”, tha Omar Shakir, drejtori i HRW për Izraelin dhe Palestinën.

Marrja e pengjeve, vrasja dhe tortura janë të ndaluara sipas Konventave të Gjenevës, ndërsa përgjigja e Izraelit mund të jetë gjithashtu objekt i një hetimi për krimet e luftës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u përball me kritika nga zyrtarët e OKB-së dhe grupet e të drejtave të njeriut, kur njoftoi një bllokadë për Gazën, që përfshiu ndalimin e ujit, ushqimit dhe karburantit.

Gallant gjithashtu u zotua të fshijë Hamasin nga faqja e dheut, mes paralajmërimeve, se Izraeli do të nisë një pushtim tokësor për të shkatërruar grupin militant palestinez.

A zbatohen konventat e Gjenevës?

Izraeli ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet, tha presidenti amerikan Joe Biden të martën, duke shtuar se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin diskutuar se si demokracitë si Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë më të forta dhe më të sigurta kur veprojnë sipas ligjit.

Një rrethim mund të konsiderohet një krim lufte, nëse ai synon civilët, ose nëse rezulton se është joproporcional në raport me pasojën fillestare. Sulmet ndaj objektivave ushtarake duhet të jenë proporcionale, sipas ligjit ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Izraeli nuk mund të vrasë e të godasë pa fund zonën.

Nick Kaufman, një avokat mbrojtës izraelit me origjinë britanike në ICC, përmendi vrasjet e tmerrshme nga militantët e Hamasit të qindra njerëzve, që ishin duke festuar dhe civilëve në disa vendbanime në Kibbutz. Ai tha se këta veprime përbëjnë krim lufte.

Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë humbur jetën, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

“Sa më shpejt”, Franca bën thirrje për të dërguar më shumë ndihma në Gaza

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Ministrja franceze e Punëve të Jashtme dhe Evropiane Catherine Colonna

GAZA- Franca ka bërë thirrje urgjente për të lejuar dhe shtuar sasinë e ndihmave humanitare që duhet të dërgohen në Gaza, në një kohë që numri i viktimave është duke shkuar 8 mijë, që nga nisja e luftës në 7 Tetor. Thirrja është bërë këtë të premte nga ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna në një intervistë me radiostacionin francez RTL. 

“Është absolutisht e nevojshme që të dërgohet ndihma në Gaza në një mënyrë të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur, në vëllime dukshëm më të mëdha”, tha Colonna, duke shtuar se inspektimet në kamionët e ndihmave ishin një “pengesë e vërtetë” për rrjedhën e furnizimeve të nevojshme. 

Colonna tha se rreth 170 francezë ndodhen në Gaza, duke përfshirë dhe punonjës së OJQ-ve, së bashku me familjet e tyre dhe punëtorët në qendrën kulturore franceze në Gaza. 

Udhëheqësit e BE-së do të takohen të premten në ditën e dytë të samitit të mbajtur në Bruksel për të diskutuar çështje të ndryshme duke përfshirë krizën në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit evropianë kanë bërë thirrje më parë për një "pauzë" humanitare për të ofruar ndihmë për civilët në Gaza, për shkak të situatës së rënduar veçanërisht në spitalet e vendit.

Kamionët e parë që transportonin ndihma hynë në Gaza nëpërmjet kalimit Rafah të shtunën e kaluar, por udhëheqësit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se nevojitet shumë më tepër për të luftuar situatën humanitare "katastrofike"  në enklavën që mban më shumë se 2 milionë njerëz./Zëri.ai 

1 VITE ME PARE

Lufta në Gaza, liderët e BE gjejnë dakordësinë: Armëpushim dhe korridore të sigurta për civilët

Dita e 20 e luftës Izrael-Palestinë / Rinisin sulmet ajrore në
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel

BE- Pas një maratone diskutimesh krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE në samitin e tyre që u mbajt dje në Bruksel ranë dakord për një deklaratë përfundimtare në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme. Aty ata kërkojnë armëpushim dhe korridore të mbrojtura për furnizimin e sigurt me ndihma të Rripit të Gazës.

Në dokument thuhet, se keqësimi i gjendjes humanitare në Gaza jep shkas për shqetësim. Bashkimi Europian do të punojë ngushtë me partnerët në rajon për të mbrojtur popullsinë civile, të ofrojë ndihma dhe qasje në ushqime, ujë, kujdesin mjekësor, karburantet dhe strehimin. Në dokument po ashtu theksohet se duhet siguruar që ndihmat të mos keqpërdoren nga "organizatat terroriste".  Hamasi kategorizohet si oganizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania dhe disa vende arabe. Më 7 tetor Hamasi sulmoi brutalisht nga Rripi i Gazës Izraelin.

Në marrëveshjen e arritur theksohet se mbështeten përpjekjet për një konferencë ndërkombëtare të paqes. "Civilët duhet të mbrohen gjithmonë dhe kudo", tha presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel duke iu referuar gjendjes në Rripin e Gazës. Ministria e Jashtme e Izraelit nuk reagoi menjëherë pas marrëveshjes së vendeve anëtare të BE për armëpushim dhe krijimin e korridoreve të mbrojtura.

Të premten u bë e ditur sipas të dhënave nga ushtria izraelite, se Izraeli ka ndërmarrë një operacion trupa tokësore me objektiv të caktuar në qendrën e Rripit të Gazës, shkruan AFP. Edhe avionë luftarakë dhe dronë e kanë shoqëruar këtë mision, deklaroi ushtria izraelite të premten. Sipas të dhënave të saj janë sulmuar "objektiva terroriste" të Hamasit radikal islamik.

SHBA kërkon "armëpushim humanitar"

Qeveria e presidentit amerikan, Joe Biden ka të njëjtin qëndrim si BE. Drejtori i komunikimit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby është shprehur se SHBA mbështet një armëpushim të kufizuar humanitar në luftën e Gazës. "Këtu bëhet fjalë për pauza lokale të kufizuara në kohë dhe specifike në betejë, me qëllim që ndihmat humanitare të mbërrijnë tek nevojtarët ose që njerëzit në rajon të largohen relativisht të sigurtë", tha Kirby në Uashington.

SHBA është e mendimit që një armëpushim humanitar është një ide e mirë që duhet ndjekur dhe mund të zgjasë disa ditë apo orë. Kombet e Bashkuara e kanë kërkuar një armëpushim të tillë dhe shumë më të zgjeruar, por ai është refuzuar nga Izraeli.

BE starton me ndihma të tjera humanitare

Dy avionë me ndihma humanitare për Rripin e Gazës nisen këtë të premte, ka thënë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Për ditët e ardhshme janë planifikuar fluturime të tjera, tha ajo të enjten në samitin e BE në Bruksel. Dy avionët e parë i kanë sjellë 56 tonë ndihma të cilat janë liruar nga Egjipti në Rripin e Gazës. "Kjo ishte e rëndësishme, por nevojitet më shumë", tha von der Leyen.

Ndërkohë pas dyshimeve të shprehura për shifrat e viktimave të paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza që kontrollohet nga Hamasi terrorist, kjo minstri ka publikuar një listë me emra të 7028 të vrarëve, me moshëm, gjininë dhe nr e kartës së identitetit. Të dhënat e autoritevete dhe vërtetësia e emrave nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. SHBA kishte shprehur dyshime për numrin e viktimave. Presidenti Biden tha, se nuk ka besim tek shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza./DW

Poll

MOS HUMB