Bota

Dita e dytë e deklaratave përmbyllësendaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria: Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët

Pritet që zyra e Prokurorit të Specializuar të përmbyllë fjalën përfundimtare, ndërsa më pas do të nisë mbrojtësi i viktimave. 

zh.ll
Dita e dytë e deklaratave përmbyllësendaj ish-krerëve
ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

HAGË- Sot, 10 shkurt, është dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (Hagë). Pritet që zyra e Prokurorit të Specializuar të përmbyllë fjalën përfundimtare, ndërsa më pas do të nisë mbrojtësi i viktimave. 

Në fjalën e saj, Prokuroria po pretendon se Thaçi i ka gënjyer disa herë ndërkombëtarët, prandaj deklaratat e këtyre të fundit duhet të merren me rezervë lidhur me UÇK-në, komandën e organizatës dhe rolin e ish-eprorëve në të.

“Ata nuk e dinin se ai [Thaçi] mund të bënte emërime ushtarake...Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet se si funksiononte UÇK-ja. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan se nuk kishin asnjë interes për të kuptuar çfarë ndodhte në realitet dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë dhe nuk u përballën me atë çka po dëgjon tashmë ky trup gjykues”.

Bëhet me dije se ditën e mërkurë, do të nisë mbrojtja e Hashim Thaçit me deklara përfundimtare, ndërsa më pas do të vijojë mbrojtja e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. 

Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet burg.  Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Sipas Prokurorisë së Specializuar, ata akuzohen për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjet e paligjshme, si dhe për krime kundër njerëzimit, si burgosja, aktet çnjerëzore, zhdukjet me forcë dhe përndjekjet. Pretendohet se këto krime janë kryer gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza ndaj katërshes u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor të po atij viti, ditë kur të akuzuarit u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas kësaj pasoi faza paraprake, e cila përfshiu konferenca të shumta statusore dhe shkëmbim të provave dhe materialeve mes palëve.

Gjykimi i mirëfilltë nisi më 3 prill 2023. Për tri ditë radhazi u mbajtën deklaratat hyrëse. Prokuroria dhe Mbrojtësi i Viktimave argumentuan se të akuzuarit ishin pjesë e asaj që ata e quajtën “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, e cila, sipas tyre, kishte për qëllim shënjestrimin e kundërshtarëve të perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe shqiptarë të Kosovës.

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, deklaroi në hapje të gjykimit se “shumica e viktimave ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”, duke shtuar se të pandehurit, sipas Prokurorisë, kishin zbatuar një politikë që shpesh dëmtonte edhe njerëzit e tyre. Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse, në deklaratat e tyre hyrëse më 4 dhe 5 prill 2023, hodhën poshtë këto pretendime, duke theksuar se UÇK-ja nuk kishte një komandë të centralizuar dhe se nuk mund të flitet për një ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Në këtë fazë u deklarua edhe vetë Hashim Thaçi, i cili theksoi se gjatë këtij procesi është vërtetuar se nuk ka pasur trafikim organesh dhe se ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë” nuk ka ekzistuar. Ai tha se raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës, i bazuar në pretendimet e ish-senatorit zviceran Dick Marty, kishte hedhur një “re të zezë” mbi Kosovën, e cila sipas tij tashmë është larguar.

Që nga prilli i vitit 2023 e deri në dhjetor 2025, në sallën e gjyqit janë paraqitur prova të shumta dhe janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë. Në këtë rast janë regjistruar rreth 155 viktima pjesëmarrëse. Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë për të dëshmuar drejtpërdrejt, ndërsa 117 të tjerë kanë dhënë dëshmi me shkrim. Një nga dëshmitë më të komentuara ishte ajo e Fadil Gecit, i cili në tetor 2024 deklaroi në Hagë se Hashim Thaçi, sipas tij, kishte pasur qëllim shfarosjen e familjes së tij, deklaratë që u kundërshtua ashpër nga mbrojtja.

Me nisjen e deklaratave përmbyllëse, vëmendja tani është përqendruar te argumentet finale të palëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB