
HIMARË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Dhërmi, ku është marrë peng dhe më pas është vrarë recepsionisti i një hoteli. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe alarmi u dha pasi pronarët nuk po kontaktonin dot me punonjësin e tyre. Me të marrë denoncimin, Policia e Shtetit ka kryer hetimet dhe kanë dalë në përfundimin se punonjësi 31-vjeçar është vrarë me armë zjarri. Identiteti i tij ende nuk dihet, por është identifikuar si Eraldo Nevruzi. Edhe pse nuk dihet se në cilat rrethana e ka mësuar këtë detaj, por për Policinë, vrasja ka ndodhur rreth orës 00:30 nga 43-vjeçari Gerald Shehu, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Po ashtu, Policia pretendon se autori është larguar drejt Greqisë. Ndërsa për ngjarjen deri më tani janë marrë në pyetje 29 persona, por nuk dihet se cila është lidhja e tyre me ngjarjen.
NJOFTIMI I PLOTË:
Himarë/Informacion paraprak
Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit. Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë. Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t'u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas. Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor./ZËRI