
BRITANI E MADHE- Një drogë e re po pushton tregun dhe po reklamohet lirshëm, madje edhe më platformën muzikore "SoundCloud". Bëhet fjalë për drogën "nitazenet", e cila konsiderohet më vdekjeprurëse se vetë heroina. Nitazenet janë droga sintetike të prodhuara në laboratorë. Ato janë të ngjashme me heroinën dhe morfinën, por mund të jenë disa qindra herë më të fuqishme. Mendohet se përdoruesit shpesh e marrin pa e ditur - sepse ato janë të fshehura brenda substancave të tjera të paligjshme nga tregtarët që kërkojnë të ulin kostot e prodhimit.
Ka shumë lloje të nitazenit, me struktura dhe fuqi kimike të ndryshme. BBC gjeti më shumë se një duzinë lloje të nitazeneve që reklamoheshin me emra të ndryshme kimikë.
Tregëtarët e drogës, reklamimin e bënin në rrjete të ndryshme sociale. BBC ka gjetur prova që tregtarët në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar po përdorin mediat sociale për t'u lidhur me furnitorët dhe me blerësit. "Agjentët" e BBC kërkuan të përfshiheshin në rrjet, e sapo e kërkuan morën video dhe foto të lëndës narkotike. Madje treguan se për t'ju shmangur kontrollit në dogana, e maskonin drogën në ushqimin e qenve.
"Nitazenet u zhvilluan për herë të parë në vitet 1950 dhe në fillim të viteve 1960,"- tha Claire Zagorski, një kimiste nga Teksasi. Në atë kohë, ato nuk ishin droga të paligjshme, por synoheshin të shiteshin komercialisht. Kjo nuk ndodhi kurrë dhe vitet e fundit, ato formulime origjinale janë përdorur si shtyllë për prodhimin e drogërave të tjera për të prodhuar opioidë të rinj sintetikë.
Ky treg, edhe pse i ri, nuk është pa fitime. Sipas një analize të bërë nga BBC, vetëm 19 furnitorëve për 2 vitet e fundit u ishin kaluar më shumë se 4.2 milion paund, pagesë që ishte bërë në Bitcoin./ZËRI