
RUSI- Gjendet Aleksei Navalny, kritiku i Kremlinit dhe kundërshtari më i fortë politik i Vladimir Putin është gjetur në një burg në Siberi, pas tre javësh “zhdukje”. Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësja e tij Kira Yarmysh përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Ne e kemi gjetur Aleksei Navalnyn. Ai është tani në IK-3, në vendbanimin Kharp, në rrethin autonom Yamalo-Nenets. Avokati i tij e vizitoi sot. Aleksei është mirë”, shkruan ajo.
Navalny u dënua me 19 vjet burg në gusht për ekstremizëm dhe do të transferohej në një regjim më të ashpër burgu. Transferimet nga një koloni penale në tjetrën në Rusi shpesh kërkojnë disa javë udhëtim me tren me ndalesa, gjatë të cilave të afërmit e të burgosurve nuk informohen. Kolonitë e regjimit special, për të cilat është destinuar Navalny, janë institucionet e paraburgimit me kushtet më të vështira në sistemin rus të burgjeve dhe shpesh ndodhen në rajone shumë të izoluara./ZËRI