
HUNGARI- Rruga për në vendlindje u ndërpre në mes, të enjten e 4 janarit për dy të rinjtë nga Kosova, Kushtrim Hoxha dhe Jetmir Rexhepi, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik në Hungari. Drama e familjarëve të viktImave bëhet edhe më e madhe pasi për shkak të procedurave të shtetit hungarez, ata nuk po mund të tërheqin trupat e të ndjerëve, ndërsa dyert e morit qëndrojnë të hapura në Prizren dhe Celina të Rahovecit.
Një nga familjarët e viktimave, Kastriot Hoxha (I afërmi i Kushtrim Hoxhës), shprehet se ende nuk ka një datë për kthimin e trupave në atdhe.
“Faleminderit që po e ndani dhimbjen me ne. Do jemi në kontakt dhe do t`ju informojmë me kohë”, shkruan në rrjetet sociale.
Dy shqiptarët ndodheshin bashkë në automjetin që u përplas me një kamion. Pas përplasjes mjeti u përfshi nga flakët. Kushtrim Hoxha, ndërroi jetë rrugës për në spital ndërsa Jetmir Rexhepi u dogj në mjet. Hoxha la pas një vajzë 4 muajshe. Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa hetimet vijojnë./ZËRI