
BRITANI- Deputeti konservator Crispin Blunt ka deklaruar këtë të enjte se është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe posedim të substancave narkotike.
Në një prononcim për X, deputeti i Reigate tha:
“Është raportuar se një deputet është arrestuar dje në lidhje me një akuzë për përdhunim. Po konfirmoj që deputet kam qenë unë. Fakti i arrestimit kërkon një njoftim zyrtar të Kryeparlamentarit. Arrestimi ishte i panevojshëm pasi mbetem i gatshëm të bashkëpunoj plotësisht me hetimin që kam besim se do të përfundojë pa akuzë”.
Ai shtoi: “Nuk kam ndërmend të them asgjë më tej për këtë çështje derisa policia të ketë përfunduar hetimet e saj”.
Policia e Surrey tha më herët se një burrë u arrestua të mërkurën në mëngjes në Horley. Një zëdhënës i policisë shtoi: “Mund të konfirmojmë se një burrë u arrestua mëngjesin e djeshëm (25 tetor) në Horley nën dyshimin për përdhunim dhe posedim të substancave të kontrolluara. Ai është liruar me kusht në pritje të hetimeve të mëtejshme”.
Partia Konservatore tha se nuk do të komentonte pasi ka një hetim të drejtpërdrejtë policor. Por Blunt-it i është kërkuar të qëndrojë larg nga punimeve të parlamentit.
Akuzat do të jenë një goditje e mëtejshme për kryeministrin Rishi Sunak, që vijnë vetëm një javë pasi konservatorët pësuan dy humbje në zgjedhjet e brendshme në Mid Bedfordshire dhe Tamworth./Zëri.ai