Bota

E cilësoi propozimin e martesës si të “turpshëm”, presidenti i Kirgistanit arreston të fejuarin e mbesës

Videoja e fejesës që ndezi zemërimin e Japrov, tregonte çiftin e ri të veshur me të bardha duke fluturuar drejt një mali me një nga tre helikopterët e Ministrisë së Emergjencave Kirgistane që ata kishin marrë me qira për 1500 £ në orë.

I.F
E cilësoi propozimin e martesës si të
Foto nga propozimi për martesë

KIRGISTAN- Presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov arrestoi të fejuarin e mbesës së tij, pas një propozimi që ai e cilësoi ‘të turpshëm’. I fejuari i mbesës përdori një helikopter qeveritar për t’i propozuar për martesë, në një kohë kur vendi u godit nga rrëshqitje vdekjeprurëse dheu.

Videoja virale e Aftandil Sabyrbekov, duke i propozuar Lazzat Nurgozhoeva, tërboi presidentin pasi kuptoi që ishte përdorur avioni qeveritar.

"I kërkoj falje njerëzve për mbesën time. Ajo gjithashtu dëgjon mendimet e njerëzve. Besoj se ajo do të nxjerrë përfundimet e duhura nga kjo”, tha udhëheqësi i ish-shtetit sovjetik të Azisë Qendrore në intervistat për media.

Japorov i dha kohë Sabyrbekov të kërkonte falje publike, por kur ai nuk e bëri, presidenti urdhëroi arrestimin e tij pas dy javësh për akuza të lidhura me drogën.

Presidenti Japarov gjithashtu informoi mediat se, Sabyrbekov nuk e donte mbesën e tij dhe i kishte propozuar asaj vetëm sepse donte të ndërtonte një imazh politik, për të mbrojtur veten dhe për të fshehur aktivitetet e tij të paligjshme.

Videoja e fejesës që ndezi zemërimin e Japrov, tregonte çiftin e ri të veshur me të bardha duke fluturuar drejt një mali me një nga tre helikopterët e Ministrisë së Emergjencave Kirgistane që ata kishin marrë me qira për 1500 £ në orë.

Pasi dolën nga helikopteri, ata shëtisën dorë për dore në një vendkalim prej druri dhe u puthën pranë një zemre gjigante të bardhë, ndërsa miqtë duartrokisnin, fishekzjarrët shpërthyen në sfond.

Videoja u bë virale në Kirgistan dhe zemëroi presidentin Japarov, i cili ndërtoi imazhin e një personi që qorton politikanët për shpërdorim parash, që kur mori pushtetin në një grusht shteti gati katër vjet më parë.

Mbesa e tij 23-vjeçare, Lazzat Nurgozhoeva, e cila ishte Miss Kirgistani 2020, e ka fshirë videon nga rrjetet e saj sociale, por analistët thanë se Japarov kërkon të shihet si një person që imponon disiplinë ashtu siç bëri modeli i tij Vladimir Putin në dhjetor, kur ndëshkoi personazhet dhe prezantuesit e televizionit rusë për festën e tyre dekadente të Krishtlindjes "pothuajse të zhveshur".

Kirgistani është një nga vendet më të varfra në Azi, me një GDP mesatare mujore prej 930 £ për person. Paratë e dërguara nga Kirgizët që punojnë në Rusi janë një burim kryesor i të ardhurave dhe kur David Cameron vizitoi Bishkek në prill si sekretar i jashtëm, ai diskutoi organizimin e një fluksi punëtorësh emigrantësh në Britani nga Kirgistani.

Perëndimi është përpjekur të tërheqë Kirgistanin dhe katër shtetet e tjera ish-sovjetike të Azisë Qendrore që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, por prirja natyrale autoritare e Japarov e ka bërë këtë të komplikuar.

Këtë vit Japarov ka imponuar një projekt-ligj të frymëzuar nga Kremlini për "agjentët e huaj" që do t'i japë qeverisë më shumë fuqi për të ndërhyrë në OJQ-të, duke i detyruar ata që marrin fonde nga jashtë të regjistrohen në një organ të posaçëm qeveritar, ndërsa arreston rregullisht gazetarë kritikë.

Disa OJQ perëndimore janë larguar tashmë nga Kirgistani, që dikur konsiderohej nga SHBA si një "fener i demokracisë" në rajon, duke u ankuar se tani ishte e pamundur për to të vazhdonin të punonin sipas rregullave të reja.

Kjo përfshin Fondacionin e Shoqërisë së Hapur të George Soros, i cili kishte dhënë grante në Kirgistan me vlerë rreth 100 milionë £ gjatë 30 viteve. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB