FINLADË- Një ngjarje e rëndë është shënuar në ambientet e Parlamentit të Finladës, ku një deputet i saj ka vrarë veten. Mediat e huaja raportojnë se Eemeli Peltonen, deputet i Partisë Socialdemokrate të Finlandës (SDP) 30-vjeç, u gjet i vdekur të martën në ambientet e Parlamentit finlandez.
Zyra e komunikimit e Parlamentit konfirmoi gjithashtu vdekjen e ligjvënësit 30-vjeçar, ndër më të rinjtë të parlamentit finlandez. Aaro Toivonen, shefi i sigurisë së parlamentit, u citua më parë nga e përditshmja finlandeze Iltalehti të thoshte: "Një vdekje ndodhi në mëngjes. Shërbimet e urgjencës mjekësore, njësitë e shpëtimit dhe autoritetet policore u njoftuan për vendin e ngjarjes nëpërmjet qendrës së urgjencës."
Kryeministri Petteri Orpo konfirmoi vdekjen gjatë një konference për shtyp në qytetin lindor të Kajaanit, ku grupi parlamentar i Partisë së Koalicionit Kombëtar po zhvillon takimin e tij vjetor veror.
"Morëm lajme vërtet tronditëse nga parlamenti, vendi ynë i përbashkët i punës. Një nga kolegët tanë ka vdekur në ambientet e parlamentit. Ky është një lajm shumë i trishtueshëm", citohet të ketë thënë Orpo nga Yle.
Në qershor, Peltonen u shpreh në rrjetin e tij social, Facebook, se po përballej me probleme shëndetësore, përfshirë një problem me veshkat, dhe se kishte munguar në parlament gjatë javëve të fundit të sesionit të pranverës dhe kishte marrë leje mjekësore gjatë verës.
Peltonen u zgjodh për herë të parë në vitin 2023 me 5,747 vota. Ai ishte anëtar i Komitetit Administrativ dhe Komitetit Ligjor të Parlamentit. Ai shërbeu gjithashtu si këshilltar i qytetit të Jarvenpaa dhe kryetar i bordit të qytetit./ZËRI