
KOSOVË- Emisari amerikan, Gabriel Escobar ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, për të diskutuar vendimin e BQK-së për dinarin serb si dhe Asociacionin. Në një koferencë të përbashkët për mediat me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, Escobar tha se nuk i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira, por se e njëjta thirrje vlen edhe për Serbinë për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
“Ka shumë punë për të diskutuar për disa sfida, duke përshirë edhe vendimin e BQK-së për të gjetur mënyra se si të ecim përpara që përfshijnë Asociacionin po jo vetëm atë. Siç e përmendi edhe presidentja, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë dhe gjithashtu për të pasë një marrëveshje historike. Por, ne ftojmë edhe Serbinë që të vazhdojë të zbatojë, prandaj nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova duhet të marrë vendime të zorshme e të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, tha ai.
Ndërkohë Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve. Escobar viziton këtë javë rajonin, tur që ka zgjedhur ta nisë me Kosovën. Sot ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani ndërsa nesër pritet të takojë kryeministrin Albin Kurti. Në takimin e ditës së nesërme pritet të diskutohet çështja e dinarit serb, Ku vetë Escobar tha se në fokus të vizitës do të ketë “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin serb”./ZËRI