
KOSOVË- Autoritetet e Kosovës kanë bërë me dije se kanë shtuar masat e sigurisë në të gjithë vendin për të parandaluar incidentetet e ngjashme me atë që ndodhi në Zveçan ku u dëgjua një shpërthim këtë pasdite.
Policia e Kosovës bëri me dije se do të ketë veprimtari të shtuar për të ofruar më shumë siguri në gjithë Kosovën, duke përfshirë Veriun e saj.
Në vetëm tre ditët e fundit janë njoftuar dy sulme të ndryshme me granata dore. Dëmet kanë qenë materiale, por nga ana e autoriteteve, janë vlerësuar si “sulme serioze kriminale”.
“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët. Me këto veprime synohet ruajtja e rendit e qetësisë publike, parandlimi i akteve kriminale dhe hetimi e vënia para drejtësisë e të gjithë atyre që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues,”- thuhet në njoftimin e policisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e dënoi sulmin por këmbënguli se gjendja në veriun e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e mirë dhe më e sigurtë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një reagim në rrjetet sociale akuzoi Beogradin se fshihet prapa sulmeve të tilla.