Energji & Mjedis

Fatkeqësitë natyrore i kushtuan kompanive të sigurimit 108 miliardë dollarë në 2023

Me rritjen e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit duke u bërë "më të shpeshta dhe intensive", kostoja e fatkeqësive natyrore për siguruesit mund të "dyfishohet gjatë dhjetë viteve të ardhshme", paralajmëron Swiss Re.

E.K
Fatkeqësitë natyrore i kushtuan kompanive të sigurimit 108
Pamje nga tërmeti në Turqi

Fatkeqësitë natyrore shkaktuan 280 miliardë dollarë humbje në 2023 në mbarë botën, 108 miliardë prej të cilave u mbuluan nga kompanitë e sigurimeve, sipas firmës zvicerane të risigurimeve Swiss Re, e cila parashikoi se shuma mund të dyfishohej në 10 vjet. Sasia e dëmeve dhe mbulimi nga kompanitë e sigurimeve u ul në krahasim me një vit më parë pasi në vitin 2022 shuma e tyre ishte rritur për shkak të uraganit Ian.

Por fatura për siguruesit kaloi shifrën 100 miliardë dollarë për të katërtin vit radhazi, tha sot firma zvicerane në studimin e saj vjetor Sigma, i cili llogarit koston e katastrofave dhe fatkeqësive natyrore. Në vitin 2022 dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore u vlerësuan në 286 miliardë dollarë, ndërsa kostoja për kompanitë e sigurimeve arriti në 133 miliardë dollarë.

“Pavarësisht mungesës së një stuhie historike të përmasave të uraganit Ian, që goditi Florida vitin e kaluar, humbjet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në vitin 2023 ishin të rënda”, tha Jerome Jean Hegeli, kryeekonomist i Swiss Re.

Tërmeti në Turqi dhe Siri ishte fatkeqësia natyrore më e kushtueshme në vitin 2023. Humbjet e siguruara arritën në 6.2 miliardë dollarë dhe tërmeti tregoi "në mënyrë dramatike" boshllëqet e mbulimit në botë, thuhet në raport.

Humbjet ekonomike arritën në 58 miliardë dollarë, por tërmeti goditi zonat me mbulim të ulët sigurimesh, pasi rreth 90 për qind e humbjeve nuk u mbuluan, vinte në dukje raporti. Stuhitë e forta shkaktuan humbje të siguruara prej 64 miliardë dollarësh, një rekord i ri, tha studimi, duke theksuar se tani ato janë burimi i dytë më i madh i humbjeve për siguruesit pas cikloneve tropikale.

Breshëri që shoqëron këto stuhi është shkaku kryesor i humbjeve. SHBA përbën 85% të humbjeve të siguruara nga stuhia, por shuma po rritet në Evropë, duke tejkaluar 5 miliardë dollarë në vit gjatë tre viteve të fundit. Rreziku i breshërit rritet veçanërisht në Gjermani, Itali dhe Francë.

Me rritjen e temperaturave dhe ngjarjet ekstreme të motit duke u bërë "më të shpeshta dhe intensive", kostoja e fatkeqësive natyrore për siguruesit mund të "dyfishohet gjatë dhjetë viteve të ardhshme", paralajmëron Swiss Re./ZËRI

Poll

MOS HUMB