Bota

Franca kritikon Kosovën për aksionin policor në veri

Më 20 maj, autoritetet e Kosovës mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që operonin në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Redaksia Zëri
Franca kritikon Kosovën për aksionin policor në veri
Foto ilustruese

PARIS- Ministria e Jashtme e Francës shprehu shqetësime me aksionin e fundit të kryer nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri, duke thënë se këto “veprime të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve”. Më 20 maj, autoritetet e Kosovës mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që operonin në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Aksioni policor i 20 majit është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Uashingtoni tha se aksioni ishte i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, ndërkaq Brukseli e cilësoi si veprim përshkallëzues. Sipas MPJ-së franceze, veprimet e njëanshme “kërcënojnë diskutimet që po vazhdojnë” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për njerëzit e prekur nga zbatimi i rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme. Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, që parasheh euron valutë të vetme për kryerjen e pagesave, duke ndaluar përdorimin e dinarit serbë.

“Franca u bënë thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejmë i njëanshëm. Ne inkurajojmë të dyja palët që t’i kthehen tryezës së diskutimeve dhe të punojnë për propozimin e kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësi evropian, që është e vetmja bazë reale për të arritur një marrëveshje që lejon përfituesit të marrin transfere financiare nga Serbia”, u tha në njoftimin e Francës.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar pezullimin e rregullore së BQK-së, derisa komuniteti serb, i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re./REL

Poll

MOS HUMB