
GJERMANI- Mes kërcënimeve ruse, kreu i forcave të armatosura të vendit, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer kërkon zhvillimin e shpejtë të një mburoje raketore për Gjermaninë.
“Kemi pesë deri në tetë vjet. Brenda kësaj periudhe ne duhet të instalojmë një sistem të mbrojtjes raketore. Nuk ka alternativë. Ne besojmë se Rusia do të jetë e aftë të bëjë luftë kundër vendeve të NATO-s brenda një periudhe prej pesë deri në tetë vjet. Deri atëherë, edhe ne në Gjermani duhet të jemi në gjendje ta zmbrapsim një sulm të tillë”, tha gjenerali Breuer për gazetat e grupit mediatik Funke Mediengruppe sot.
Gjenerali Breuer tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk i fsheh synimet e tij ndaj Perëndimit, teksa shtoi se një sulm do të ishte skenari më i keq. Ai hodhi poshtë deklaratat në Gjermani nga zyrtarët që bënin thirrje që konflikti në Ukrainë të lejohet të ngrijë, shkruajnë mediat e huaja.
“Ngrirja e një lufte kërkon që ajo të pranohet nga të dyja palët. Nuk ka një konflikt të ngrirë në botë që të mos jetë rindezur. Situata aktuale ushtarake në Ukrainë bën që një ngrirje e luftës të mos duket as e mundshme dhe as e dëshirueshme”, tha Breuer.
Kujtohet se qeveria gjermane ka krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar Bundesëehr-in, forcat e armatosura gjermane. Sipas gjeneralit Breuer, tashmë janë ndarë 80% e mjeteve dhe ndarja e tyre do të përfundojë deri në fund të vitit, por me vonesa të mundshme në prokurim./ZËRI