Bota

Fundoset varka në Lampeduza, vdes vajza 2-vjeçare

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se një tjetër tragjedi ka ndodhur në Mesdhe. Një varkë me 50 persona në bord u përmbys. 8 persona janë të zhdukur, mes tyre ka fëmijë.

D.XH
Fundoset varka në Lampeduza, vdes vajza 2-vjeçare
Varka ne Lampeduza

ITALI - Një vajzë 2-vjeçare ka ndërruar jetë dhe 8 persona të tjerë u raportuan të zhdukur, pasi një varkë që transportonte rreth 50 persona nëpër Mesdheun qendror, u mbyt në ujëra në brigjet e Lampedusas.

Roja bregdetare italiane, e ndihmuar nga një varkë peshkimi vendase, arriti të shpëtojë 42 persona të hënën, duke përfshirë vajzën e vogël, por më pas ajo ndërroi jetë në bordin e një anijeje shpëtimi, rrugës për në ishull. Kështu deklaroi të martën ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani. Kombësia e fëmijës nuk është bërë e ditur. 8 persona janë ende të zhdukur, duke nxitur përpjekjet e vazhdueshme të kërkimit dhe shpëtimit, që përfshijnë anije dhe helikopterë. Autoritetet treguan se 2 fëmijë ishin në mesin e të zhdukurve.

Në Lampeduza është shtuar numri i refugjatëve së fundmi, teksa 11 anije zbarkuan të hënën, ku ndodheshin rreth 800 persona. Midis tyre ishte një peshkarekë që transportonte 576 persona nga Egjipti, Siria, Iraku, Maroku, Pakistani dhe Bangladeshi. Rritja e numrit të refugjatëve vjen në një vit në të cilin tashmë ka pasur 150,000 emigrantë që kanë mbërritur në Itali, krahasuar me afërsisht 94,000 gjatë së njëjtës periudhë, në 2022.

Më 6 nëntor, qeveria italiane njoftoi planet për të krijuar qendra kërkimi në Shqipëri për të akomoduar azilkërkuesit, teksa kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshëndeti planin si një marrëveshje "historike" me Tiranën, për të menaxhuar flukset e migracionit.

Marrëveshja përfshin krijimin e qendrave në Shqipëri, që mund të strehojnë deri në 3000 njerëz në të njëjtën kohë. Në Shqipëri do të dërgohen vetëm ata që shpëtohen në det nga varkat italiane; qendrat nuk do të strehojnë azilkërkuesit, që mbërrijnë në brigjet italiane. Të miturit, gratë shtatzëna dhe individët vulnerabël që kapen në det, do të vazhdojnë të transferohen në Itali. Tajani njoftoi të martën se qeveria do të paraqesë së shpejti një projektligj në parlament për ratifikimin e marrëveshjes me Tiranën, duke pretenduar se emigrantët do të kenë të njëjtin trajtim siç thuhet në rregulloret italiane dhe evropiane.

BE shprehu habinë për marrëveshjen e Italisë, duke thënë se kishte kërkuar më shumë informacion. Javën e kaluar komisionerja evropiane Ylva Johansson, përgjegjëse për punët e brendshme, tha se një vlerësim fillestar sugjeroi se marrëveshja nuk shkelte ligjet e BE-së. Megjithatë, punonjësit e ndihmës dhe OJQ-të e kanë kritikuar marrëveshjen, duke e cilësuar atë një goditje të mëtejshme ndaj solidaritetit të BE-së dhe bënë krahasime me marrëveshjen e MB-së me Ruandën, të cilën gjykata më e lartë e Mbretërisë së Bashkuar këtë muaj e shpalli të paligjshme. Italia e refuzon këtë krahasim.

Rruga qendrore e Mesdheut njihet si rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë dhe një "varrezë masive," ku mijëra njerëz kanë humbur jetën gjatë kalimit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), pothuajse 2,200 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur gjatë vitit 2023, gjatë përpjekjes për të shkuar në Europë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB