
TIRANË- Për herë të parë në Shqipëri, por me mesazhe të forta! Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u tregua i prerë sot kur tha se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të mbetet pezull nëse palët nuk do të ulen në dialog. Teksa, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, po komentonte sulmin terrorist të ndodhur në Kosovë më 24 shtator ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, Macron me pak fjali bëri që 1 janari i vitit 2024, ditë kur dhe do të zyrtarizohej lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Shengen, të mos kishte më të njëjtin kuptim. Presidenti francez e argumentoi këtë vendim duke shtuar se e gjitha ka të bëjë me mbajtjen e fjalës nga të dy liderët, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
“Sikurse e dini, ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas etapat e ardhshme dhe ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizmi i zgjedhjeve në komunat ku u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione si dhe njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës. E them me shumë qartësi, ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën,”- tha Macron.
Por, nuk u vonua shumë dhe Presidenca franceze sqaroi deklaratën që nisi reagime të menjëhershme nga palët politikë në Shqipëri e Kosovë. Presidenca rikonfirmoi edhe njëherë me gjuhë me diplomatike atë që tha Macron, duke u shprehur: Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur.
Por a mundet vërtet Franca të bllokojë procedurën e liberalizimit të vizave për Kosovën?
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua në prill të këtij viti formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj. Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, që përbëjnë zonën Shengen.
Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtar. Nëse bëhet një kërkesë, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.
Radio Europa e Lirë shkruan se burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së.
Për këtë gjë, Franca do të duhet të bëjë një kërkesë dhe deri më tani, sipas raportimeve, nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Deri më tani ka ndodhur vetëm një herë që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit. Bëhet fjalë për Holandën, që në vitin 2019, kërkoi që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë me arsyetimin se qytetarët e vendit tonë paraqisnin rrezikshmëri të lartë për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e rrëzoi këtë kërkesë.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë me Kosovën….