Bota

Gazeta zvicerane: Posti i ri i Lajçak shënon rënie në karrierën e tij

Josep Borrell e emëroi sllovakun në detyrën prestigjioze në vitin 2020. Por pas katër vitesh bilanci është negativ.

k.m.
Gazeta zvicerane: Posti i ri i Lajçak shënon rënie në
Miroslav Lajçak

ZVICËR- Sllovaku Miroslav Lajçak nga 1 janari do të transferohet në Bernë si ambasador i Bashkimit Europian. Në detyrën e re, ai do të zëvendësojë grekun Petros Mavromichalis, i cili rikthehet në Bruksel pas katër vitesh në këtë post. Për sllovakun, kalimi në Bernë është më shumë një rënie e karrierës. Kjo pasi 61-vjeçari kohët e fundit madje u diskutua si një pasardhës i mundshëm i Përfaqësuesit të Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Afërsia me mikun e Putinit, Robert Fico

Lajçak studioi në Moskë përpara rënies së Murit të Berlinit. Më vonë, ai shërbeu si ministër i jashtëm në disa qeveri të Robert Ficos, i cili aktualisht është kthyer në pushtet në Bratislavë me partinë e tij nacionaliste të krahut të majtë "Smer". Lajçak nuk është vetë anëtar partie, por afërsia e tij me mikun e Putinit, Robert Fico, aktualisht nuk është e favorshme për një karrierë në Bruksel.

Emërimi i ri vjen pasi mandati i tij si përfaqësues special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës përfundon në vjeshtë. Josep Borrell e emëroi sllovakun në detyrën prestigjioze në vitin 2020. Por pas katër vitesh bilanci është negativ.

"Lajçak duhej të sillte normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës, por marrëdhëniet vetëm janë përkeqësuar nën kujdesin e tij dhe tensionet janë rritur së fundmi në mënyrë të rrezikshme. Qeveria në Prishtinë nuk gabon plotësisht që e akuzon përfaqësuesin special se është i njëanshëm në favor të Beogradit. Sllovakia vjen nga një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën,"-shkruan media zvicerane.

Një koment për të e dha edhe deputeti i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer, i cili e cilësoi Lajçak si fatkeqësinë që i ka ndodhur dialogut mes dy vendeve. 

“Lajçak ka qenë një fatkeqësi e pazbutur në punën e tij të mëparshme. Shpresoj që ai nuk do t’i turbullojë edhe marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe Bashkimit Evropian,"-tha Butikofer, a anëtar i Partisë së Gjelbër Evropiane.

Ka shumë në rrezik në Bernë

Duke u zhvendosur në Bernë, Miroslav Lajçak ka të ngjarë që të rinisë negociatat midis Brukselit dhe Zvicrës. Mbetet për t'u parë nëse sllovaku do të jetë më i suksesshëm në postin e tij të ri. Në fund të fundit, ndryshe nga Serbia dhe Kosova, mes Brukselit dhe Bernës nuk bëhet fjalë për luftë dhe paqe. Megjithatë, ka shumë çështje të tjera që futen në lojë./ZËRI

Poll

MOS HUMB