Bota

Gazetari fitues i Çmimit Nobel: Vdekja e Navalny-t ishte vrasje

Gazetari i njohur tha se kritiku i Kremlinit vdiq nga torturat e regjimit në burg.

D.XH
Gazetari fitues i Çmimit Nobel: Vdekja e Navalny-t ishte vrasje
Dmitry Muratov dhe Aleksei Navalny

RUSI – Gazetari rus, fitues i Çmimit Nobel, Dmitry Muratov ka folur në lidhje me vdekjen e Aleksei Navalny-t në burgjet ruse. Për Muratov, vdekja e Navalnyt ishte vrasje. “Aleksei Navalny iu është nënshtruar për 3 vite torturave në burg. Mjeku i tij ka thënë se torturat kanë qenë të rënda dhe trupi i njeriut nuk mund të durojë dot kaq shumë. Dënimeve të herë pas hershme të liderit të opozitës ruse, iu shtua edhe vrasja”, tha Muratov.

Komiteti Hetues i Rusisë ka nisur një hetim procedural për vdekjen. Ndërkohë, nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo gjë. Shteti rus ka deklaruar se do të ketë hetime për këtë vdekje, ndërsa kanë shtuar se SHBA-të dhe vendet perëndimore duhet që të jenë më të përmbajtura.

Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale. SHBA u shpreh e tronditur për lajmin, duke shtuar se pret që gjithçka të konfirmohet. Më 9 gusht 2023, një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor politikanin opozitar Aleksei Navalnyn, duke e dënuar 19 vite burg, me akuza, që kanë të bëjnë me ekstremizmin, për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit. Përpara këtij akt-gjykimi, Navalny ishte duke vuajtur një dënim me 9 vite burgim. Ai dhe avokatët e tij kishin deklaruar se akuzat ndaj liderit opozitar të Kremlinit janë të motivuara politikisht./ZËRI/

Poll

MOS HUMB