
TEL AVIV - Zyrtari i lartë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, i ngarkuar me operacionet në territoret palestineze, gjenerali Ghassan Aliyan, iu drejtua me një mesazh popullit të Gazës dhe udhëheqjes së Hamasit. Aliyan tha se është e papranueshme, që sulmi barbar i Hamasit ka mbështetje popullore te palestinezët.
“Rrëmbimi, abuzimi dhe vrasja e fëmijëve, grave dhe të moshuarve është çnjerëzore. Nuk ka asnjë justifikim për këtë. Hamasi është shndërruar në ISIS dhe banorët e Gazës, në vend që të frikësohen, po festojnë”, tha ai, raporton Times of Israel.
“Nuk do të ketë energji elektrike dhe ujë në Gaza, do të ketë vetëm shkatërrim. Dëshironit ferrin, ferr do të merrni”, shtoi ai.
Sot, organizata e armatosur palestineze Hamas lëshoi një breshëri raketash nga Rripi i Gazës kundër qytetit bregdetar jugor izraelit, Ashkelon. Sipas gazetës izraelite ‘Haaretz’, një hotel në këtë qytet është goditur nga raketat.
Hamasi goditi Izraelin dhe vrau mbi 1 000 izraelitë, ndërsa Izraeli më pas vrau më tepër se 750 palestinezë./Zëri.ai/