Bota

Gjithnjë e më shumë të rritur po flenë me arusha pelushi, por pse?

Kompania e lodrave Build-A-Bear madje ka një seksion të tërë në faqen e saj të internetit kushtuar produkteve për të rritur.

k.m.
Gjithnjë e më shumë të rritur po flenë me arusha
Foto ilustruese

SHBA- Një kompani që kryen studimin e tregut me seli në Çikago ka dalë në përfundimin se shitjet e lodrave prej pelushi janë rritur gjatë pandemisë së koronavirusit. Në vitin 2024, 21% e lodrave prej pelushi iu shitën të rriturve mbi 18 vjeç. Kompania e lodrave Build-A-Bear madje ka një seksion të tërë në faqen e saj të internetit kushtuar produkteve për të rritur. Në një anketë tjetër, më shumë se gjysma e njerëzve të anketuar thanë se kishin mbajtur një lodër prej pelushi që nga fëmijëria, dhe rreth 40% thanë se ende flenë me një lodër prej pelushi.

"Pyes veten nëse njerëzit po kërkojnë më shumë ngushëllim kur përballen me pasiguri,"- tha Dr. Jade Wu, një psikologe e gjumit.

Nuk ka asgjë të keqe të kesh një kafshë pelushi si i rritur ose ta përdorësh atë për të të ndihmuar të flesh më mirë, thonë ekspertët. Në fakt, ka shumë anë pozitive. Terapistja e shëndetit mendor nga Seattle, Dr. Jessica Lamar, përdor lodra prej pelushi me të rritur që përballen me trauma psikologjike.

"Ata shkojnë në Build-A-Bear dhe krijojnë një arush që përfaqëson fëmijën brenda tyre ose një version më të ri të vetes, në mënyrë që të shërojnë traumat e fëmijërisë."

Por kafshët prej pelushi nuk janë vetëm për njerëzit që përpiqen të kapërcejnë traumat e tyre psikologjike.

Dr. Jessica Lamar shtoi se një lodër prej pelushi nga fëmijëria jonë mund të ofrojë një ndjenjë të ngrohtë nostalgjie, një lidhje me familjen ose miqtë nga të cilët jemi larg dhe një pikë kontakti për kujtime të këndshme.

"Kjo është një nga mënyrat se si qetësojmë veten. Ne kemi diçka që duket si një kafshë në shtratin tonë. Ofron rehati", tha Dr. Greenberg.

Një kafshë pelushi në shtratin tonë natën mund të plotësojë nevojat tona evolucionare, sipas Dr. Jade Wu.

"Ne evoluuam për të jetuar në fise dhe për të qenë anëtarë të një fshati. Ne flemë më mirë kur ndihemi të sigurt. Kur ndihemi të prekshëm... ndaj e duam atë kontakt fizik. Gjumi social na bën të ndihemi më të sigurt dhe të flemë më mirë. Pra, një kafshë pelushi mund të jetë një alternativë e mirë. Është e kuptueshme që ke nevojë për kontakt kur je duke fjetur. Mitra ishte një hapësirë shumë e sigurt. Si foshnje, njerëzit mbështilleshin për të fjetur. Ndërsa plakemi, kjo bëhet padyshim më pak e nevojshme, por është ende aty si ndjesi", tha Dr. Jessica Lamar.

Ndaj edhe të rriturit mund të flenë me lodra prej pelushi. Madje mund të jetë një gjë e mirë./ZËRI

Poll

MOS HUMB