
PANAMA - Gjykata e Lartë e Panamasë ka shpallur jokushtetuese një kontratë që i jep një kompanie kanadeze të drejtën për të operuar një minierë bakri për të paktën 20 vjet. Njoftimi i të martës nga gjykata e drejtësisë me nëntë anëtarë, pas katër ditë diskutimesh, shkaktoi brohoritje midis demonstruesve, që prisnin jashtë dhe valëvitnin flamujt panamezë.
Kontrata nga një filial i First Quantum me bazë në TSX dhe në Vankuver, e nënshkruar në tetor ka shkaktuar protesta të gjera në të gjithë vendin për disa javë. "Kjo është ajo që ne kishim pritur", tha demonstruesja Raisa Banfield, pas asaj që ajo e quajti një pritje e mundimshme. "Presidenti duhet të pezullojë punimet në minierë sot", shtoi protestuesja.
Mosmarrëveshja mbi minierën e hapur Cobre Panama ka çuar në disa nga protestat më të përhapura në Panamasë në vitet e fundit, duke përfshirë një bllokadë të termocentralit të minierës. Protestuesit bllokuan gjithashtu pjesë të autostradës Pan Amerikane, duke përfshirë një shtrirje pranë kufirit me Kosta Rikën. Pak para shpalljes së vendimit, ata hapën rrugën, në mënyrë që kamionët e mallrave të mund të kalonin.
Filiali lokal i First Quantum, Minera Panama, tha në një deklaratë në fillim të këtij muaji se varkat e vogla kishin bllokuar portin e saj në provincën Colon, duke penguar furnizimet të arrinin në minierë. Policia detare raportoi se një anije që transportonte qymyr vendosi të kthehej, për shkak se u pengua nga një grup protestuesish, që nga varkat e tyre hodhën gurë dhe objekte të tjera. Protestuesit, shprehen se miniera mund të dëmtohej shumë dhe veçanërisht në furnizimin me ujë, pasi ndodhet në një xhungël biodiversiteti në bregdetin e Atlantikut, në perëndim të kryeqytetit.
Marrëveshja parashikonte që kompania të pranonte t'i dorëzonte të paktën 375 milionë dollarë amerikanë në vit qeverisë së Panamasë, me qëllim shfrytëzimin e minierës për 20 vitet e ardhshme. Kontrata gjithashtu ka një klauzolë për të zgjatur marrëveshjen për 20 vjet të tjera përtej kësaj. Miniera u mbyll përkohësisht vitin e kaluar kur bisedimet midis qeverisë dhe First Quantum u ndërprenë, mbi pagesat që donte qeveria. Rifillimi i marrëveshjes në tetor shkaktoi kundërshtim të gjerë.
Që nga fillimi i protestave, qeveria pothuajse miratoi legjislacionin që do të revokonte kontratën, por kjo u tërhoq në një debat në Asamblenë Kombëtare më 2 nëntor. Shpresa e fundit e protestuesve ishte që gjykatat e Panamasë ta shpallnin kontratën jokushtetuese. Kjo ndodhi të martën kur gjykata tha: "Ne kemi vendosur të shpallim njëzëri jokushtetues të gjithë ligjin 406 të 20 tetorit 2023".
‘Vendimi nuk ishte një goditje për vetë kontratën, por për procesin me të cilin u nënshkrua’, thotë Dalton Barretto, drejtor menaxhues i kërkimit të kapitalit të metaleve dhe minierave në Canaccord Genuity. “Kjo do të thotë që procesi i ndjekur nga qeveria për të marrë kontratën e rinegociuar dhe për ta bërë ligj nuk është në rrugën kushtetuese”, tha ai në një intervistë për CBC News. Vendimi është një pengesë për kompaninë sepse zgjat pasigurinë mbi projektin të paktën deri në pranverën e ardhshme, kur rezultatet e zgjedhjeve në vend ka të ngjarë të shkojnë në një raund të ri negociatash.
Në fund të fundit, megjithatë, ai ka besim se puna në minierë do nis sërish. "Realiteti i situatës është se, me gjasë pas një viti, kjo minierë do të rifillojë punën, sepse është shumë e rëndësishme për ekonominë panameze", thanë ekspertët. Miniera përbën rreth pesë për qind të të gjithë PBB-së së vendit dhe është burimi më i madh i të ardhurave të qeverisë jashtë Kanalit të Panamasë./Zëri.ai/