HAGË- Ish-emisari i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Hill, ka nisur dëshminë e tij këtë të hënë në gjyqin ndaj ish krerëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës. Hill u pyet rreth takimit me Hashim Thaçin në Dayton, Kosovën e shumë tema të tjera që lidhen në thelb me këto.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill foli për takimin e parë me Hashim Thaçin në vitin 1998, duke e përshkruar si një person që fliste me qetësi dhe maturi. I pyetur nëse kishte përshtypjen se Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill theksoi se nuk kishte asnjë bazë për ta menduar këtë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por nuk mu krijua përshtypja se ai ishte një person që kishte kontroll mbi këtë organizatë të madhe, ose që e drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi Hill.
Në vijim të seancës, ambasadori Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.
“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviç, por nuk kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.
Dëshmia e Hillit tani është e përqendruar rreth bisedimeve në Rambuje më 1999, ndërsa deklaroi se Thaçi i kishte thënë se nëse pranonte marrëveshjen e Rambujesë pa pavarësinë e Kosovës, do vritej.
Hill: "Thaçi më tha se nëse do ta pranoja, do të më vrisnin sapo të kthehesha në Kosovë”, duke shtuar se në atë moment kuptoi që Thçi nuk ishte në pozitë për të thënë "Po".
Ish-diplomati i lartë është dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 dhe akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Të katërt janë vetëdeklaruar të pafajshëm dhe i kanë mohuar akuzat ndaj tyre./ZËRI