Bota

Grabitja spektakolare për 4 minuta në Muzeun e Luvrit, eskspertët: "Dorë" e klanit të rrezikshëm në Gjermani

Bëhet fjalë për klanin Remmo me origjinë arabe, i cili ka kryer një grabitje të ngjashme në Gjermani

zh.ll
Grabitja spektakolare për 4 minuta në Muzeun e Luvrit,
Muzeu i Luvrit

PARIS- Ekspertët besojnë se vjedhja spektakolare e bizhuterive të Napoleonit nga muzeu i Luvrit në Paris është kryer nga klani më i rrezikshëm kriminal në Gjermani. Bëhet fjalë për klanin Remmo me origjinë arabe, i cili ka kryer një grabitje të ngjashme në Gjermani

Grabitja spektakolare ishte përgatitur në mënyrë prefekte dhe zgjati vetëm katër minuta: Katër autorë të maskuar u ngjitën në një ballkon në katin e parë të Luvrit në Paris me një platformë pune lëvizëse. Ata hynë përmes një dritareje në Galerinë e Apolonit, vodhën nëntë bizhuteri të zbukuruara me gurë të çmuar – dhe u larguan me to!

Nga mënyra e grabitjes së bizhuterive në Paris duket se ishin vërtet hajdutë profesionistë. Eksperti i sigurisë, Butz Peters, e sheh këtë si vepër të profesionistëve – dhe gjen paralelizma me grabitjen e bizhuterive në “Grünes Gewölbe” (Kthina e Gjelbër) në Dresden. “Diçka e paimagjinueshme ndodhi në Francë në kohë rekord – jo rastësi, por e planifikuar me aq saktësi sa dikur në Dresden. Grabitja në Luvër ishte punë precize e profesionistëve,” tha ai për BILD.

Sipas hetimeve të para, autorët parkuan një platformë pune lëvizëse në anën e Senës pranë muzeut, për t’u ngjitur në një ballkon të vogël në katin e parë. Askush nuk e vuri re platformën, sepse aty ishte duke u bërë një ndërtim. Në qarqet e sigurisë, zonat e ndërtimit konsiderohen kritike, sepse sistemet e alarmit ose kamerat shpesh janë jashtë funksionit për një periudhë kohe.

Një metodë shumë e ngjashme ishte përdorur nga klani Remmo edhe në Dresden. Disa ditë para vjedhjes, autorët prenë një grilë dritareje në një qoshe të fshehur dhe e vendosën përkohësisht me ngjitës. Natën e krimit, ata nxorën përkohësisht grilën dhe hapën dritaren e qoshes pas saj, duke hyrë brenda.

Për Peters, kjo grabitje nuk është rastësi: “Autorët duhet ta kenë studiuar më parë objektin dhe do të kenë identifikuar dobësitë dhe kanë kontrolluar rrugët e arratisjes”. Një vjedhje e shpejtë dhe e suksesshme planifikohet gjithmonë me kujdes të madh. Në Dresden, autorët kishin nevojë për një vit e gjysmë për të përgatitur grabitjen e tyre. Edhe në Paris duhet të ketë qenë e njëjta gjë – saktësia e veprimit nuk mund të shpjegohet ndryshe. Peters thekson: “Rreziku më i madh nuk është gjatë grabitjes, por gjatë arratisjes”.

Në Paris, pas vjedhjes, vitrinat u hapën shpejt me forcë, ndërsa në Dresden u thyen brutalisht dhe më pas u plaçkitën.

Edhe arratisja ishte e planifikuar me kujdes strategjik në të dy rastet. Në Gjermani, autorët u larguan me një Audi A6 Avant të regjistruar në vitin 2017. Ata ikën nga Theaterplatz-i, që ishte pa drita pas një sulmi të mëhershëm me zjarr ndaj furnizimit me energji elektrike, dhe u futën në një garazh nëntokësor në lagjen Mickten. Atje dogjën Audin dhe u larguan me një Mercedes që e kishin vendosur më parë aty.

Makina e dytë e arratisjes u sekuestrua më vonë në Berlin. Një muaj më pas, mbi Mercedes-in e konfiskuar u bë një sulm me zjarr, por nuk u dogj krejtësisht. Ekipi i sigurimit të provave gjeti copa xhami nga vitrinat e “Grünes Gewölbe” dhe ADN-në e tre autorëve.

Në Paris, hajdutët e bizhuterive u larguan me skutera. “Kjo nuk është aspak një ide e keqe në një qytet të madh,” thotë eksperti. Shumë shpejt pas grabitjes, policia njoftoi se një skuter ishte gjetur. Ministria franceze e Kulturës deklaroi: “U parandalua një përpjekje për të djegur mjetin motorik që përdorën autorët”.

Për autorët, Peters vetëm mund të spekulojë. Në Dresden, ata vinin nga familja Remmo e Berlinit, një klan i njohur dhe famëkeq.

Butz Peters: “Kjo ishte një dukuri gjermane. Por edhe në Paris ka klane”. Sipas tij, është e mundsur që pas grabitjes së Luvrit të jenë struktura të ngjashme: “Kush bën një gjë të tillë, duhet të ketë besim absolut tek njëri-tjetri”.

Mbetet pikëpyetja për plaçkitjen e grabitur: Bizhuteritë janë unike dhe është pothuajse e pamundur për t’u shitur.

Peters: “Në “Grünes Gewölbe”, vlera e plaçkitjes ishte mbi 100 milionë euro, por nuk mund të shitej”. Një pjesë e saj u gjet më vonë e fshehur – e dëmtuar dhe e deformuar.

“Edhe në Paris mund të ndodhë një gjë e tillë,” thotë Peters. Ka gjasa që plaçka të fshihet fillimisht ose të ndahet për t’u shitur më vonë pjesë-pjesë. Eksperti paralajmëron: “Orët dhe ditët e para janë vendimtare. Sa më gjatë të mbetet e fshehur plaçka, aq më e vogël është shpresa për ta gjetur të paprekur”.

Kurora e thyer e perandoreshës Eugénie – u gjet menjëherë pranë muzeut. Autorët e humbën atë gjatë arratisjes./BILD

Poll

MOS HUMB