
SUHARAKË – Katër persona të armatosur kanë tentuar të kryejnë një grabitje në një argjendari në Suharekë të Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka deklaruar për mediat e Kosovës se sapo policia ka shkuar në vendngjarje, ka hasur në rezistencën e grabitësve. Policia dhe grabitësit kanë qëlluar njëri-tjetrin. Si pasojë, një polic është plagosur.

“Policia ka marrë informacion se në një argjendari në Suharekë ka ndodhur një grabitje. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur në rezistencë të armatosur. Si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, një zyrtar policor ka marrë plagë në këmbë nga një plumb”, tha Gashi.


Zëdhënësi i policisë theksoi efektivi i plagosur është jashtë rrezikut për jetën. Ai shton se në lidhje me grabitjen, janë identifikuar 4 autorët.
Grabitësit morën ar me vlerë 250 mijë euro
Nga grabitja që iu bë argjendarisë në Suharekë të Prizrenit, mësohet se është marrë ar me vlerë jo më pak se 250 mijë euro. Përpos faktit se një polic është plagosur, një tjetër efektiv është lënduar.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës Ervehe Gashi ka thënë se nuk është bërë një vlerësim zyrtar sesa vlen ari i grabitur, por kjo shifër mund të jetë 250 mijë euro. “Nuk kemi bërë një raport zyrtar për faktin sesa vlen ari që është vjedhur në argjendari. Pronari i biznesit ka thënë se ari që i është vjedhur vlen 250 mijë euro”, u shpreh Gashi./Zëri.ai/