Bota

Hajdutët i drejtuan armën por s’e dinin kush ishte/ Nis gjyqi për grabitësit e Kim Kardashian, ç’do të ndodhë?

Kim Kardashian u lidh dhe u mbajt peng me armë në dhomën e saj të gjumit nga njerëz të armatosur të veshur si oficerë policie. E gjitha ndodhi në orët e para të 3 tetorit 2016.

k.m.
Hajdutët i drejtuan armën por s’e dinin kush ishte/ Nis gjyqi
Kim Kardashian

FRANCË- 10 persona, pjesë e të ashtuquajturit "banda e gjyshërve" nga mediat franceze do të dalin në gjyq të akuzuar për vjedhjen e bizhuterive të yllit amerikan, Kim Kardashian në vitin 2016. Të dyshuarit, moshat e të cilëve variojnë nga 35 deri në 78 vjeç, do të dalin para gjykatës, ndërsa para togave të zeza pritet edhe dëshmia e 44-vjeçares Kim Kardashian. Ndoshta në grabitjen më të madhe të një individi në Francë në 20 vjet, Kardashian u lidh dhe u mbajt peng me armë në dhomën e saj të gjumit nga njerëz të armatosur të veshur si oficerë policie. E gjitha ndodhi në orët e para të 3 tetorit 2016. Pasi e grabitën, ata u larguan nga hoteli me 10 milionë euro stoli. 

Sipas "The Guardian", ata që gjykohen janë kryesisht burra në të 60-at dhe 70-at e tyre me precedentë të mëparshëm kriminalë, por që njihen me nofka në botën e krimit, si psh. Old Omar dhe Blue Eyes. Nga të akuzuarit, njëri vdiq muajin e kaluar dhe një tjetër do të gjykohet veçmas për arsye shëndetësore. Sipas prokurorëve të çështjes, ata e kishin planifikuar shumë mirë grabitjen, në një bar të Parisit. Në kohën e grabitjes, Kardashian ishte pa truproja dhe e vetme në dhomën e saj të gjumit. Atë ditë ajo kishte postuar se ku ndodhej në Javën e Modës në Paris, por përveç miliona njerëzve që e ndiqnin në rrjetet sociale, e ndiqnin edhe grabitësit.

Kardashian i tha policisë se një nga personat që e grabiti i foli me "një theks shumë të fortë francez" në anglisht, duke i thënë asaj të dorëzonte unazën e saj të fejesës me diamant. Në një intervistë për emisionin Netflix të David Letterman, ajo tha se mendonte se do të përdhunohej dhe do të vritej.

"Mendoja, tani do përdhunohem. A do vdes? Dua t'u themse kam fëmijë. Kam një burrë, kam edhe një familje."

10 personat në gjyq në Paris përballen me akuza duke përfshirë grabitje të armatosur, 8 prej tyre mohojnë gjithçka.

Njëri prej tyre, Yunice Abbas, 71 vjeç, ka pranuar pjesëmarrjen e tij në grabitje, duke thënë se ai ishte pjesë e grupit që hyri në ndërtesë dhe ai qëndroi roje në katin e poshtëm. Ai i tha TF1 TV në Francë të dielën: Kisha një propozim për një punë të madhe, e cila do të ishte e fundit… Ata më thanë se kishte një diamant 20 karatësh që nuk ishte i mbrojtur… Ishte joshëse. Më thanë se ishte gruaja e një reperi. Unë nuk bëra pyetje ... e shoh atë si viktimë; nuk kishim asgjë kundër saj personalisht.

Më pas, ai i tha Associated Press: Unë do të kërkoj falje. E kam sinqerisht.

Aomar Ait Khedache, i njohur si Old Omar, 68 vjeç, ka pranuar gjithashtu pjesëmarrjen në grabitje, por mohon akuzat e prokurorisë se ai ishte drejtuesi i grupit. Të tjerët në gjyq akuzohen si ndihmës dhe informatorë, duke përfshirë Gary Madar, vëllain e shoferit të Kardashian në Paris. Ai akuzohet se ka dhënë informacion për lëvizjet e saj. Edhe pse ai e mohon përfshirjen.

Avokati i Kardashian, Michael Rhodes, ka thënë se ylli i reality shoë-t dhe sipërmarrësja dëshiron që gjyqi “të vazhdojë në mënyrë të rregullt, në përputhje me ligjin francez dhe me respekt për të gjitha palët në çështje”. Kardashian pritet të japë dëshminë e saj më 13 maj, ndërsa data e fundit e gjyqit është lënë më 23 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB