
TIRANË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngritur sërish akuza kundër kryeministrit Albin Kurti. Në një intervistë për "Ekonomia Online", Haradinaj tha se Kurti i ka prishur marrëdhëniet me Shqipërinë, duke i ndalur pensionet për luftëtarët shqiptarë. Madje pretendon se Kurti është i rekrutuar nga Serbia.
Ndër të tjera pretendon se ka dyshime që kryeministri ka edhe transaksione të dyshimta që i vijnë nga Serbia.
“Kurti i ka prishur marrëdhëniet skajshmërisht me Shqipërinë, i ka ndalë pensionin luftëtarëve nga Shqipëria që ka kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, me arsyetimin që e merrni pensionin e Shqipërisë. Kurti nuk ka lenë asnjë element që do t’i forcojë shqiptarët pa i dëmtuar. Vetëm shikoni ka shkuar në Paris me të gjithë situatën e vet a me ato shpenzime ka mundur të paguajë pagat e minatorëve të Trepçës. Para katër vitesh e ka gjetur me status të zgjidhur kurse tani i ka lenë pa paga. Kurti na ka lanë pa status energjetik. Në Kosovë ka vetëm një detyrë për të gjithë ne që e duam vendin është ndryshimi, pra me votë me largu një kryeministër që është i rekrutuar i Serbisë. Ai ka qenë në mision te armiqtë, e kanë ndihmuar për tu ngritur në pozitë. Edhe financimet i ka të dyshimta, ka transaksione nga Serbia. Një zyrtar i Qeverisë Kurti ka bërë kërkesë zyrtare Serbisë për numrin e saktë të pjesëtarëve që UÇPMB-së. I ka pyet a na tregoni numrin e pjesëtarëve. Nuk ka mundësi ajo ditë me ndodh rastësisht ai është i rekrutuar nga Serbia,”-pretendon Haradinaj.
Megjithatë, pavarësisht se akuzat kanë qenë të rënda, ende nuk ka asnjë reagim nga ana e Kurtit lidhur me pretendimet e ngritura për të nga ish-kryeministri./ZËRI