
KOSOVË – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar ashpër për vendimin e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, për të ndaluar dinarin serb brenda territorit të Republikës së Kosovës, për përdorim në shit-blerje. Presidenti Vuçiç tha se vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar dinarin serb është një sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara nga palët, që nga viti 1999. “Në secilën prej këtyre akteve, është e drejtë e Serbisë, që të financojë aktivitete të caktuara, në shëndetësi, në arsim dhe pensione. Fatkeqësisht, Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrimin etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”, tha Vuçiç.
Që nga data 1 shkurt 2024, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se euro është monedha e vetme, me të cilën mund të bëhen pagesat. Vendimi ka hyrë tashmë në fuqi, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për ta shtyrë afatin e zbatimit të vendimit. Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga koha e mbarimit të luftës.
Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës, përmes një sistemi paralel, pagat, pensionet, ndihmat sociale, por edhe përfitimet e tjera. Në konferencë për mediat, Vuçiç ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që serbët në Kosovë të marrin përsëri ndihmat e tyre. Kreu i shtetit serb tha se deri në mesditën e së premtes, për serbët në Kosovë janë ndarë më tepër se 5 milionë euro, për përfitime të ndryshme. Ai tha se Serbia do të kërkojë zgjidhje, se do t’i dërgojë paratë për serbët në Kosovë. Teksa foli për fondet që ndan Serbia, Vuçiç tha se shteti serb ka të punësuar në Kosovë 31831 persona, 29115 pensionistë, prej të cilëve, 4700 marrin paga në dorë, si dhe 31586 shfrytëzues të ndihmës sociale.
Vuçiç ka paralajmëruar se të hënën e javës së ardhshme, Serbia do të vazhdojë që të dërgojë dinarë në Kosovë, përmes një transportuesi, që siç tha ai është i licensuar dhe i autorizuar. Banka Popullore e Serbisë, prej vitesh tashmë, i ka dërguar dinarët në një kasafortë në komunën e Leposaviqit, në veriun e Kosovës dhe paratë më pas janë transportuar nga kompania ndërkombëtare, Henderson. Disa kanë fajësuar Doganën e Kosovës, që ka lejuar një praktikë të tillë, pasi BQK është institucioni i vetëm i autorizuar për import dhe eksport të euros dhe monedhave të tjera në Kosovë.
Gjithashtu SHBA ka reaguar ashpër karshi vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren që largon nga qarkullimi në Kosovës valutën e Serbisë, dinarin. Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar kufizim të avokimit për Kosovës e Ambasadori amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier paralajmëron tensione për këtë vendim që e cilësojnë si të njëanshëm. Që nga një shkurti ka hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së, që ndalon qarkullimin e valutës së Serbisë, dinarit në Kosovë. Në qytetet me shumice serbe, ku përdoret kjo valutë, qytetarëve iu është mundësuar një fazë tranzitore dhe fushatë informimi për adaptim.
/ZËRI/