Bota

Hunter Biden merret në "pyetje": Babai s'ka lidhje me aktivitetet e mia

Ai pranoi se ka bërë gabime në jetën e tij.

k.m.
Hunter Biden merret në "pyetje": Babai s'ka lidhje me
Hunter Biden

SHBA- Hunter Biden, djali i presidentit amerikan ka dhënë sot një konferencë të rrallë për shtyp për të pastruar të atin nga çdo dyshim për përfshirje në aktivitetet e tij të diskutueshme, të cilat janë nën mikroskopin e opozitës republikane.

“Më lejoni ta them sa më qartë, babai im nuk është përfshirë kurrë financiarisht në aktivitetet e mia. As kur isha avokat, as kur isha në bordin e (gjigantit ukrainas të gazit) Burisma, as kur bëja biznes me një kinez, as kur investoja këtu apo jashtë vendit dhe sigurisht as kur isha artist,”- siguroi 53-vjeçari me ton të rreptë në intervistën e dhënë para ndërtesës së Kongresit Amerikan.

Konservatorët, të cilët mbajnë shumicën në një nga dy dhomat e Kongresit të SHBA, Dhomën e Përfaqësuesve, akuzojnë Joe Biden se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte zëvendëspresident i Barack Obamës (2009-2017) për të lejuar djalin e tij të vazhdonte me aktivitete të diskutueshme biznesi në Kinë dhe Ukrainë.

Megjithatë Presidenti, demokratët dhe djali i tij mohojnë akuzat.

Hunter Biden, sot para Kongresit Amerikan ka pranuar se “ka bërë gabime në jetën e tij”. Por gjithashtu akuzoi "mbështetësit e Trump" se po përpiqeshin ta poshtëronin për të "lënduar" babain e tij.

“Prej gjashtë vitesh ata kanë cënuar privatësinë time, kanë vënë në shënjestër gruan time, fëmijët e mi, familjen time, miqtë e mi. Ata talleshin me betejën time me varësitë,”- u ankua ai.

Për këto arsye, Hunter Biden refuzoi të dëshmonte në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura të organizuar nga republikanët, të cilët e thirrën atë të paraqitej sot në Capitol Hill.

“Gjatë betejës sime me varësinë, prindërit e mi ishin aty për mua, ata më shpëtuan jetën”, tha sot djali më i vogël i Joe Biden.

Në librin e tij "Gjërat e bukura" (2021), Hunter Biden rrëfen varësinë e tij ndaj alkoolit dhe drogës dhe përpjekjet e tij të dështuara për rehabilitim. 53-vjeçari deklaron se tashmë është “i pastër”. Ai u martua përsëri dhe është babai i një djali të vogël, Bo, siç quhej vëllai i tij i vdekur. Ai tani është i angazhuar me artin, konkretisht me pikturën./ZËRI

Poll

MOS HUMB