
PAKISTAN- Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan është dënuar me 10 vjet burg pasi akuzohej për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Khan, i cili u rrëzua nga kundërshtarët e tij si kryeministër në vitin 2022, po vuan tashmë një dënim prej tre vitesh burg pasi u dënua edhe për korrupsion. Akuzat e ngritura ndaj tij, ai i ka cilësuar si politike.
Ish-ministri i jashtëm Shah Mahmood Qureshi - nënkryetar i partisë Pakistaneze Tehreek-e-Insaf (PTI) të Imran Khan - u dënua gjithashtu me 10 vjet burg.
Dënimi ndaj tij është marrë pas "rrjedhjes" së korrespondencës sekrete diplomatike të dërguar nga ambasadori i Pakistanit në Uashington në kohën kur Khan ishte kryeministër. Imran Khan u shfaq në skenë, duke tundur një copë letre, tek e cila pretendohet se shkruhej një komplot kundër tij.
"Të gjitha do të falen nëse Imran Khan largohet nga pushteti,"-tha Khan se shkruhej në letër. Ai nuk e përmendi emrin e vendit - por më pas ishte shumë kritik ndaj Shteteve të Bashkuara.
Prokuroria tha se veprimet e ish-kryeministrit përbënin nxjerrje të një dokumenti të klasifikuar dhe dëmtim të marrëdhënieve diplomatike. Akuza e fundit mund të dënohet me burg përjetë, por edhe dënim me vdekje.
Një zëdhënës i PTI tha se do të kundërshtonte vendimin e gjykatës dhe e quajti atë një tallje.
"Ne nuk e pranojmë këtë vendim të paligjshëm,"-postoi në X (ish-Twitter) Naeem Panjutha, një avokate e ish-kryeministrit. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 8 shkurt, mes akuzave se PTI po pengohet nga autoritetet të bëjë fushatë./ZËRI