
KOSOVË- Ish-ministri i Infrastrukturës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burg për shpërdorim detyre dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës. Dënimi ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Lekaj është dënuar për shpërdorim të detyrës dhe dëmtim me dashje të buxhetit të Kosovës, gjatë kohës që ai ka qenë ish ministër i Infrastrukturës.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel-Enkës” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Pal Lekaj ka reaguar për herë të parë pas këtij vendimi duke e konsideruar vendimin e gjykatës të padrejtë, ku nuk ka lënë pa shigjetuar edhe kundërshtarët e tij politikë.
“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi”, tha Pal Lekaj.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të vitit 2017. Gjuthashtu sa i përket çështjes ish-sekretari i Ministrisë Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit, Besim Tahiri janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj ndërsa Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj./ZËRI